2011/Rama: “Përjetuam fitoren e Shqipërisë që paguan taksa”. Sot – Gjendje Lufte!!!(video)
Kryeministri e cilësoi si gjendje lufte situatën e informalitetit ekonomik e tregtar në Shqipëri. Ja sesi e karakterizon kryeministri i Shqipërisë, nisjen e operacionit në fjalën e mbajtur sot për këtë qëllim: “Në territorin e zhvillimit ekonomik dhe tregtar, Shqipëria është në gjendje lufte me këtë fenomen...Nuk ekzagjeroj dhe nuk zbukuroj absolutisht asgjë, nëse ju them me plot gojën se kjo është një luftë patriotike, për një atdhe rrënjët e të cilit do të ushqehen nga të gjithë së bashku, ku secili duhet të japë pjesën që i takon, për të ushqyer rrënjët e këtij vendi që është amaneti i të parëve tanë dhe detyrimi që ju kemi fëmijëve tanë”. Nisur nga ky konstatim, kemi të drejtë të konkludojmë se situata është në kufijtë e katastrofës. Sikurse kemi të drejtë të pyesim: a është vërtet kështu, dhe nëse po, a janë vetëm këto motivimet e qeverisë në hapjen e një fronti të tillë? Në një vend ku pakkush mban përgjegjësi për fjalët dhe kur ministrat apo deputetët përsërisin të njëjtën gjë, është mirë t’i referohemi arkivës së një kohe kur pozicionet kanë qenë të ndryshme. Le të shikojmë se çcfarë ka thënë kryeministri i tanishëm, Edi Rama, në kongresin e PS-së, të 5 nëntorit 2011, kur ishte në krye të opozitës. “Ne takohemi sot në një ditë shumë të vështirë për vendin, secili prej jush ka për të treguar shumë për varfërinë dhe frikën që ka pllakosur vendin, por secili prej nesh ka shumë për të dhënë për një frymë të re shprese dhe besimi. Në zgjedhjet vendore të 8 majit 2011 ne përjetuam dy ndjenja të forta: fitoren e madhe të Shqipërisë që paguan taksa, dhe zhgënjimin e madh nga vjedhja e turpshme në Tiranë, fitorja tregoi se sa pranë fitores jemi në zgjedhjet e ardhshme, por zgjedhjet e 8 majit treguan se nuk mund ta heqim paqësisht me votë këtë qeveri, janë të shumtë shqiptarët që e dinë se Saliu nuk mund ta pranojë fitoren me votë”.
E nënvizojmë: PS-ja fitoi në Shqipërinë që paguan taksa. Është fjala për qytetet kryesore të vendit, nga veriu në Jug, aty ku PS-ja ka vite që fiton rregullisht. Një fitore në terrenin e Realitetit Formal, siç na thotë z. Rama, që donte asokohe të evidentonte diferencën mes menaxhimkt të opozitës dhe atij të qeverisë.
Z. Kryeministër, pohoni me gojën tuaj se keni vepruar dhe fituar në një Shqipëri që paguan taksa. Bëhet fjalë për pjesën më të madhe të saj. Kur vallë u zbulua kjo “gjendje lufte”? Nuk po përpiqemi të bëjmë sikur nuk e dimë që informalitet ka patur përherë në Shqipëri, por si vallë të kuptojmë këto dy deklarata, përveçse duke vënë gishtin e përgjegjësisë (edhe) te qeveria JUAJ?
Add new comment