Për çfarë u investuan "liderët" e Ballkanit dhe kancelarja Merkel?
Mbaroi edhe Samiti i Vienës. Takimi nuk përmbushi asnjë nga pritshmëritë e propaganduara për një plan të rimëkëmbjes ekonomike të Ballkanit dhe mbështetjes politike për integrimin në Bashkimin Europian.
Deklarata e përbashkët e përcjellë në shqip nga zyra për shtyp e kryeministrit Edi Rama nuk përmban asnjë plan konkret për investime në infrastrukturë apo sektorë prioritarë që do t'i jepnin një fuqi ekonomike tregut rajonal, por shpreh angazhimin e qeverive të rajonit dhe kryeministrave të vendeve të Ballkanit për të mbështetur bashkëpunimin rinor.
Në 7 pika të deklaratës së përbashkët flitet vetëm për vazhdimësinë e një pune të nisur në Tiranë, më 22 Maj 2015 të Axhendës Pozitive për Rininë në Ballkanin Perëndimor. "Të rrisim më tej bashkëpunimin rajonal mes të rinjve dhe institucioneve për rininë dhe të sigurojnë zbatimin e programeve rinore të përbashkëta me fokus parimet e qeverisjes demokratike, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, të arsimit dhe inovacionit"-thuhet ndër të tjerat në deklaratë.
Edhe 6 pikat e tjera të deklaratës së përbashkët i referohen hapësirave për bashkëpunimi e të rinjve. Ndërsa Ministria e Jashtme bën fjalë për një pakt ndërlidhjeje, duke theksuar se "ministrat e Punëve të Jashtme ranë dakord se çështjet dypalëshe nuk duhet të përbejnë pengesë për proceset integruese të vendeve të rajonit".
Pyetja është çfarë prodhoi politikisht Samiti i Vjenës? Vullnetin për bashkëpunimin rinor?! Dhe kjo do bëhet me nisma qeveritare, diçka e ngjashme me revolucionet kulturore të komunizmit për të forcuar miqësinë me vendet e tjera të ideologjisë së proletariatit?
Asnjë angazhim të paktën publikisht për të rithemeluar demokracinë, luftuar korrupsionin, klientelizimin dhe inkriminimin politik. Këto dhe të tjera çështje janë ato që mbajnë peng të ardhmen europianë të vendeve të Ballkanit dhe jo mungesa e shkëmbimeve rinore.
Europa nuk jep para për Ballkanin e korruptuar dhe pakti i ndërlidhjes që flet Ministria e Jashtme nuk jep asnjë garanci për një perspektivë europiane të rajonit. Kur Berlini po promovon një politikë të paqes në perspektivë për Ballkanin, në realitet, "liderët" që morën angazhimin për të pajtuar të rinjtë, nxisin tensionet dhe frymën nacionaliste në Ballkan.
Mediat greke raportuan ditët e fundit për plagosjen nga një serb të një shqiptari që kishte tatuazh Shqipërinë e Madhe. A do ta tejkalojnë Edi Rama dhe shokët e tij ballkanas këtë sfidë, kjo mbetet për t'u parë nga ajo çfarë do të prodhojë Samiti i Vienës.
l.mitro
Comments
politika
politika shqipetare nuk mbulon dot diellin me shosh ----------- per arsye se te kredhur m-t deri ne gurmas
Add new comment