Opozita “militarizon” propagandën. Flitet për revolucion, por edhe për skenarin “Varoufakis-Tsipras” për Edi Ramën
Drejtuesit e Partisë Demokratike, Sali Berisha, Lulzim Basha, kanë disa kohë që po flasin për revolucion demokratik, apo për protesta masive. Zërin e ka ngritur edhe Josefina Topalli, që i duket e mbaruar një opozitë si kjo e tanishmja. I pakënaqur u shfaq edhe Shpëtim Idrizi, njeriu me busullën e Jack Sparrow me vete, që shigjeta e çon aty ku ja do interesi, i cili foli për zgjedhje. Ka pra një tensioni, po përpunohet një klimë tensioni, e cila diku duhet të shfryjë. Pika kritike e kësaj pakënaqësie është një emër: Kryeministri Edi Rama. Mirëpo është kollaj të flasësh për revolucion dhe protesta. Çështja është të kuptohet për të gjithë se cilat janë hapat konkrete, veprimet dhe aktet që do ndërmerren e për të cilat paralajmëron opozita. Në një editorial të djeshëm në “Rilindjen Demokratike” vihet në punë një karahasim mes Edi Ramës dhe ish-ministrit te Financave, Yannis Varoufakis. “Sindroma “Varufakis” prej kohësh ka prekur Ramën, por simptomat sa po vijnë dhe po rëndohen. Shënjestra e Ramës prej kohësh janë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Gjuha e zgjedhur prej tij është ajo e kërcënimeve dhe e ultimatumeve. I flet subkoshienca e së shkuarës të regjimit të të atit. “Nëse nuk na pranoni në BE, atëherë do të ketë dhunë dhe gjakderdhje”, ishte kërcënimi prej terroristi i Ramës në “Neësëeek”. Në vend të dialogut me partnerët ndërkombëtarë, në vend të bashkëpunimit, në vend të shtrirjes së dorës për ndihmë në këto momente të vështira që po kalojnë shqiptarët vjen si përgjigje arroganca e kreut të qeverisë, kërcënimet, presionet. Është një gjuhë që Europa e njeh, por nuk e pranon dhe shembullin e tregoi në Greqi. Dje ishte radha e Varufakisit në Greqi, tani po afron ora për Ramën”, thuhet në editorial. A duhet marrë seriozisht një parashtrim i tillë? Fakti se gazeta është partiake nuk ka pse të cenojë vërtetësinë e mesazheve që vijnë nga partis më e madhe opozitare. Pasi në fund të fundit kuptohet se PD-ja po përgatitet për diçka, në mos po “përgatit diçka”. Sjellim këtu ndërmend se ish-kryeministri Sali Berisha, i parapriu me disa muaj çështjes “Doshi”, kur fliste për krimin. Aq sa në një intervistë për Eni Vasilin dukej e pabesueshme dhe e ekzagjeruar këmbëngulja e tij për krimin që ka mbërthyer Shqipërinë. Sot flitet për skenarin grek, aludohet për investime nga faktori ndërkombëtar që të largojë këtë kryeministër, apo paralajmërohet revolucioni demokratik. Çfarë pritet të ndodhë pra?
Add new comment