Hekurudha Shqipëri-Kosovë nuk diskutohet në Samitin e Vjenës
Shqipëria është përcaktuar që më parë të ndërtojë linjë hekurudhore me Maqedoninë sesa me Kosovën. “Koha Ditore” shkruan se në afat të shkurtër, lidhjen nëpërmjet binarëve me Prishtinën e ka jashtë planeve. Për pasojë, projekti për hekurudhën Kosovë - Shqipëri, i proklamuar prej vitesh, nuk do të zërë vend në diskutimet e Samitit të Vjenës, ku gjashtë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë më 27 gusht për infrastrukturën rrugore që lidh kryeqendrat e rajonit. Sipas “Koha Ditore” zyrtarët e të dyja shteteve edhe sivjet kanë folur për këtë projekt dhe kanë dhënë zotimet për të bërë përgatitjet e nevojshme, me synimin që për të, të sigurohet mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Deri tani, asnjëra prej qeverive të të dyja vendeve nuk ka bërë studim parafizibiliteti për hekurudhën. Ministrat e transportit kanë përmendur më herët shumën prej rreth një miliard eurosh, si kosto e hekurudhës dhe patën shprehur besimin se gjysmën e mjeteve do të mund t’i siguronin nga BE-ja.
Add new comment