Trishtimi me dossierët e komunizmit

Postuar në 23 Gusht, 2015 00:25
Leonard Veizi

Ato janë histori që vijnë nga një botë e vdekur. Dëshmi justifikuese, herë plot mllef e herë denigruese. Përcjellin diçka trishtuese e të zymtë që nuk kanë të bëjnë më me optimizmin, misioni i të cilës ishte: “për një botë të re”. Janë hisori që vijnë nga një botë e nëndheshme. Si për të na kujtuar edhe një herë që nuk është fort e lehtë të ndahesh nga e kaluara. Veç në funksionon vërtet ajo pajisja elektronike që lidhet me trurin e t’i fshin kujtimet njëherë e përgjithmonë.

I thashë të gjitha këto pasi vetë ai që u cilësua si “sistemi i barazisë” e mbylli kapitullin 70 vjeçar të jetës si mos më keq. Nuk ekziston më, veç në “Manifestin Komunist”. Me gjasa nuk ka ndërmend të ringjallet. Por gjithsesi pas kanë mbetur kujtimet. Dhe jo pak. Për shqiptarët janë 45 vite në mes. Njerëzit e kanë përjetuar, janë gjallë e plot dëshmi. Kanë jetuar si komunistë, kanë vdekur si kundërshtarë të betuar të tij, por dhe janë burgosur e internuar se nuk janë përshtatur dot. Të gjitha këto tanimë, të ardhura në formë kujtimesh i përkasin tematikës “Dossier”. Në fakt, ky është një term i huazuar, pasi në shqip ajo vjen si: “Dosje”

Disa vite më parë, dossierët me historitë e komunizmit u futën në modë. Gati i gjithë shtypi i shkruar e kishte një rubrikë të tillë. Dy faqet e mesit të çdo gazete. Ndërsa titujt, ku spikaste emri i Enverit, Mehmetit apo Kadri Hazbiut, bashkë me fotografitë e tyre, zinin vendet qëndrore të faqeve të para.

Nxjerrje dokumentash, dëshmi të parrëfyera më parë. “Partizanët apo Ballistët”, “U vetëvra apo e vranë Mehmet Shehun?”, “Çfarë qëndrimesh mbante Enver Hoxha në mbledhjet e Byrosë Politike?”. “Ishte apo nuk ishte Kadri Hazbiu spiun i CIA-s?”. “Tradhëtoi apo jo Beqir Balluku?”. Pyetje të shtruara me radhë që kërkonin përgjigje. Dyfaqëshit më të rëndësishëm të gazetave vazhdonin të mbusheshin me dëshmi të padëgjuara. Ca të vërteta e ca fabrikime. Ndërsa lexuesit ishin rritur së tepërmi. Në fushën e marketingut ky dyfaqësh, që përgjithësish vazhdonte me cikle, përkthehej në arkëtim të ardhurash. Kishte gjithmonë rritje të tirazhit, shumë më tepër se sa atë ditë që në gazetë mungonte një rubrikë e tillë.

Gara ishte e madhe. Për fatin tim të mirë apo të keq, m’u kërkua të bëhesha dhe unë pjesë e kësaj gare. E pranova ofertën. Ishim vetëm pak gazetarë që startuam njëri pas tjetrit dhe ambicia për t’i dalë në krye, nuk më la. Kam shkruar me dhjetra dossierë mbi bazë materialesh arkivore e kam marrë me qindra dëshmi, të njerëzve që deri para viteve ’90 kanë pasur shumë pushtet. Nuk jam penduar. Tek e fundit kjo është punë. Ka lexues që e kërkojnë këtë lloj informacioni siç ka plot të tjerë që janë të interesuar për faqet e krimit apo akoma dhe të tjerë që interesohen vetëm për bluetooth-in.

Por ka ca kohë që kam kaluar në një sektor tjetër. Më duket sikur jam lehtësuar nga një ngarkesë. Ndërsa tek dëgjoj titujt e gazetave në mëngjes, nuk di pse më vrasin veshin temat që përbëjnë dossierin. Më pas thjesht meditoj: A ishte e nevojshme të bëhej kjo garë e shfrenuar, të nxirreshin nga bota e kujtimeve ashtu si nga nëntoka kufoma që vetëm pak kohë më parë ishin varrosur? Sot kanë kaluar vetëm 25 vjet nga ndarja me diktaturën. 15 vite më parë kur filloi kjo “mësymje” na ndanin vetëm 10 vjet. Ishte pak si herët për t’iu referuar të shkuarës që u ndamë me aq sherr, duke hipur nëpër muret e ambasadave, duke kaluar kufirin në këmbë e duke rrëmbyer anijet për të dalë në botën e lirë. A thua kaq shpejt na mori malli për të keqen...?

Për të paktën 15 vite me radhë vazhdoi kjo fushatë, që në pamje të parë të jepte përshtypjen se nxitej më së shumti nga ideja e thithjes së lexuesve të moshës së tretë dhe të shitjes së gazetave në tirazhe të mëdha. Mund të jetë vetëm kjo dhe nuk ka bazë për teori tjetër konspiracioni. E megjithatë, nga të gjitha pikpyetjet e ngritura shumë pak prej tyre morën përgjigje. Askush nuk e verifikoi dot nëse Mehmet Shehu u vra apo u vetvra. Edhe për grupet armiqësore nuk u nxorr në ndonjë konkluzion në vërtet ishin të tillë vërtetë. Madje edhe për qëndrimet e Enver Hoxhës në krye të Byrosë nuk u vendos pika mbi “I”. Ç’mbeti nga e gjithë kjo fushatë që mua m’u duk se ishte si një rrugë pa krye: nostalgji e risjellje e portreteve të  diktaturës me të tjera penelata? Një lloj rehabilitimi nëpërmjet dëshmive ku e mira dhe e keqja bashkëjetonin...?

Dua t’i qëndroj larg dossierëve të komunizmit, nuk jam as konsumator i tyre. Por veshi më vritet çdo mëngjes. Djalli e mori, më bezdis vërtet. Mbase është pak qesharake, por më duket sikur më injektojnë pak heroinë të përzjerë me aspirinë e pluhur neoni. Përzjerje problematike. Shpëlarje truri. Me sa duket moda nuk ka marrë fund ende. Është tkurrur ca dhe është futur në ujë, por “dossier” me ngjarje nga diktatura vazhdon të botohet nëpër gazeta të ndryshme.

Padyshim, dossierë do të vazhdojnë të botohen akoma, përderisa gërmohet rreth Luftës së Parë Botërore, asaj të Dytës, dhe gjenden fakte të reja, edhe për Luftën e Ftohtë duhet të ketë shumë gjëra për t’u thënë.

Qenka e vështirë të ndahesh nga e keqja.

 

Leonard Veizi

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.