Një ministre që mungon dhe një këshilltar që është ngado
Konflikti i krijuar në Dhëmri për kishën e Shën Athanasit ka ftuar në diskutim, siç mund të pritej, edhe përfaqësues të historiografisë shqiptare. Moikom Zeqo publikon një shkrim të gjatë për jetën e Nilo Catalanos, që flitet se ka varrin aty ku është kisha. Zeqo shkruan madje se “është për t’u habitur, por edhe shqiptarët myslimanë të kësaj krahine ishin të afruar ngushtë rreth misionarëve bazilianë” dhe pyet më tej: “një italian si Nil Katalani u bë një misionar dhe dijetar i shqipes, mos vallë ne duhet ta përdhosim varrin e tij në kishën e Shen Thanasit në Dhërmi? A nuk është ky varr një monument i jashtëzakonshëm? A nuk duhet nderuar pafundësisht? Mos vallë duhet të
sillemi si ksenofobe ndaj këtij italiani, i cili qe më i qyteteruar dhe me humanist sesa shumë njerez, që jetojnë sot”. Në të njëjtën kohë ka folur sot edhe Pëllumb Xhufi, që nuk pranon të komentojë mbi shkaqet e ngjarjes, për të cilën thotë se “ka shumë paqartësu”. Madje Xhufi e konsideron të pavend se përse për këto që ndodhin nuk flet as ministra e Kulturës, Mirela Kumbaro, “e cila nuk mungon të dalë vetë, kur bëhet fjalë për të kumtuar “suksese” të paralajmëruara”. Xhufi shton se ka paqartësi të mëdha, se institucionet nuk po flasin, as Instituti i Monumenteve, as Bashkia e Himarës dhe as INUV. Një konsideratë e jep ai edhe për atë që ka rënë në sy të gjithëve, rolin që po merr ndërhyrja e Artan Shkrelit, këshilltar i kryeministrit, por një askush në aspektin formal e institucional, në raport me këtë çështje. “Ministria e Kukturës, Instituti i Monumenteve, INUV dhe të pushtetit vendor, janë ata që duke u shprehur qartë, do të mund të shpërndajë retë e paqartësisë e t’i japë fund një historie që ka nisur t’i bezdisë të gjithë. Me këtë rast do të doja shumë që ky episod të shërbente për të ndarë një herë e mirë kufijtë midis “pushteteve të konstituuara” dhe “pushteteve të pakonstituuara”, siç janë ato që përfaqësojnë sot disa “këshilltarë” të gjithëpushtetshëm, që nuk mjaftohen të japin “këshilla”, por drejtojnë e vendosin në mënyrë të pakontrolluar”, thotë Xhufi në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”. Lidhur me reagimin e munguar të Ministrisë, zëdhënësi i KOASH, Thoma Dhima bënë këtë deklarim: “Organet kompetente, Ministria e Kultures dhe IMK thone se Shen Athanasi ne Dhermi nuk eshte monument. Atehere, kush e shpiku kete histori me monumente”?
Add new comment