Zbret kursi i këmbimit të dollarit në Shqipëri, bie dhe euro; A do ulet nafta?!
Monedha amerikane ka rwnw në tregun e brendshëm, duke u këmbyer me 123.91 lekë. Ky është niveli më i ulët që nga janari i këtij viti. Edhe euro ka shënuar rënie të lehtë, duke arritur dhe ajo afër nivelit më të ulët të vitit. Sipas “Monitor” dollari i fortë gjatë këtij viti, që arriti deri në 133 lekë në mars, ka qenë një nga argumentet e operatorëve të karburanteve për naftën e shtrenjtë në tregun vendas, e cila blihet me dollar dhe është afër nivelit më të lartë rekord prej 190 lekëve për litër. Nga ana tjetër, çmimet e naftës amerikane në bursat ndërkombëtare shkuan drejt rënies së tetë javore radhazi të premten, duke shënuar periudhën më të gjerë me ulje që nga 1986-a. Nafta europiane, që shërben si referencë për tregun shqiptar, po shënon rënien në shtatë javë nga tetë, duke rënë të premten me 60 cent në 46.02 dollarë për fuçi, pasi kishte rënë edhe 54 cent të enjten. Aktualisht nafta në tregun e brendshëm tregtohet në nivelin e 180-188 lekë për litër, me një mesatare prej rreth 185 lekë për litër, afër niveleve rekord të arritura në janar 2014, kur nafta në bursa ishte afër 120 dollarëve për fuçi. “Monitor” thotë se aktorët e tregut kanë paralajmëruar se pritet të fillojë ulja e çmimeve që gjatë javës në vijim. Ata e kanë argumentuar çmimin e lartë tek ne me koston e rezervave të detyrueshme 90 ditore, informaliteti i lartë në një treg që nuk është shumë funksional, taksa e qarkullimit prej 10 lekë për litër nga 1 janari 2015 dhe dollari më i shtrenjtë.
Add new comment