Nga qeveria nuk ka çfarë të presim z. Hoffmann! Shpresën e ngjall vetëm Evropa...

Postuar në 22 Gusht, 2015 06:53

Ambasadori gjerman në Tiranë, Helmut Hoffmann, doli dje para mediave, për të folur disi më hapur për çështjen e azilantëve. Diplomati gjerman i bëri thirrje qeverisë që t’u kthejë njerëzve shpresën dhe të sqarojë ata se nuk ka shpresa për azil në Gjermani. Nga ana tjetër Hoffmann ka shtuar se në Gjermani ka kërkesë për punëtorë për rreth 80 profesione, si dhe se shtimi i valës së azilit do të “krijonte një efekt psikologjik negativ te gjermanët, me ndikim në procesin e integrimit të Shqipëri.

Për më shumë http://www.respublica.al/2015/08/21/qeveria-shqiptare-të-kthejë-shpresën-te-njerëzit.

Imigrantët si problem i brendshëm. Rasti i Saksonisë.

Deklarata e tij vjen paralel me daljet publike të ministrit të Brendshëm, de Maziere, që ka paralajmëruar rivendosjen e rregjimit të vizave. Pra, diplomati gjerman në Tiranë po bën detyrën për të cilën edhe paguhet: po flet për interesat e Gjermanisë, që në këtë moment e ka valën migratore problem serioz të brendshëm. Madje aq sa ai rrezikon të kthehet në problem sistemik, për të vënë në pikëpyetje një stabilitet politik e demokratik të çmuar. Ka vërtetësi kjo po të shihet se reagimet ndaj imigrantëve po çojnë në polarizimin e shoqërisë dhe po i hapin rrugë rrymave radikale. Kolumnisti i “Die Zeit”, Stefan Schirmer, shkruan këtë të premte se ajo që po ndodh në Saksoni, të çon të mendosh për një “Säxit”, ose përjashtim të këtij landi nga Republika Federale. Racizëm, sulme ndaj imigrantëve, fyerje, përshëndetje naziste, të gjitha simptoma të një shoqërie që po sheh nga e shkuara për të kuruar problemet e tanishme dhe të së ardhmes. “Studimet kanë treguar se kur vjen puna te angazhimi ndaj parimeve të  demokracisë dhe tolerancës, niveli i 4 milionë banorëve të Saksonisë është përhërë më i ulët sesa atij në Gjermani. Çfarë po ndodh në Saksoni? Kjo pyetje bëhej vite më parë, kur NPD, një parti e të djathtës ekstreme, ia doli të merrte 25% të votave në Zvicër.  Apo kur marshimi më i madh i neonazistëve u zhvillua në Dresden. Për muaj të tërë tashmë, çdo të hënë, të ashtuquajturit Patriotë Evropiane kundër Islamizimit të Perëndimit (Pegida) vijojnë t’i shkojnë nga pas miqve të tyre kriminelë nga Saksonia, që i quajnë refugjatët jo më shumë sesa “lopë budallaqe””, shkruan ndër të tjera kolumnisti ( link1 , link2 ).

Siç mund të shihet problemi priret të nxisë procese politike jo të kënaqshme. Çka bën të kuptojmë pse Gjermania po kërkon ta zgjidhë problemin në embrion në vendet e origjinës. Matteo Salvini i Lega Nord italiane, thoshte disa ditë më parë se do të shkojë në Nigeri së afërmi për të folur me liderët e këtij vendi për imigracionin. Hoffmann nuk ka nevojë, pasi si ambasador i ushtron detyrat në mënyrë të përditshme. Fakt është se apeli gjerman është serioz dhe ai pasqyron një siklet jo të vogël.

Çfarë do të bëjë qeveria shqiptare?

Tingëllon ironike dhe shumë fatkeqe që është ambasadori i një vendi të huaj që apelon për qeverinë shqiptare që “t’u kthejë shpresën njerëzve”. A nuk është kjo detyrë e parë çdo qeverie? Por mendimi kryesor është çfarë mund të bëjë qeveria shqiptare? Ajo ka plotësuar kërkesat gjermane për kontrolle në kufi, sa kohë në Kakavijë e Kapshticë ka policë gjermanë (një pyetje për Ministrin Tahiri këtu: pse nuk vendosni policë gjermanë në pjesët e tjera të kufirit por vetëm në pjesën me Greqinë?). Po kështu ka folur për sanksione, por në çdo rast asnjë nuk mund të ndalojë arbitrarisht qytetarët të ikin. Qeveria nuk ka një plan publik, as ndonjë axhendë, por ndoshta shpreson se kthimet nga Gjermania do të shuajnë valën e emigrimit. Shqipëria po rrezikon seriozisht rikthimin e vizave, ndonëse një lëvizje e tillë është krejt pa sens praktik. Dhe e godet shumë imazhin e Evropës. Vetëm dy ditë më parë Edi Rama foli për alternativën evropiane, mungesa e së cilës çon rajonin në konflikt. Dhe konflikti prodhon sërish refugjatë.

“Po” për çdo gjë. Por a mjafton?

Ndoshta te kjo lojë “kërcënimi” qëndron i vetmi plan i qeverisë. Për më tepër që rrallë mund të qëllojë që të kesh partner një qeveri kaq të dëgjueshme. Për azilin ajo ka ndjekur çdo kërkesë të palës gjermane, përfshi policimin në kufi. Por edhe në raport me Italinë nuk ka mbetur pas. Para disa mujave doli në sipërfaqe çështja “Beccheti”, kur “Agon Channel” i drejtonte disa pyetje ambasadorit italian Gaiani. ACh aludonte se ka qenë kërkesë e tij dhe e dikujt tjetër në Romë, ajo që çoi në goditjen e Becchetit. Thënë kjo, qeveria edhe në këtë rast e ka përmbushur detyrën e vet prej “çiraku”, kundrejt disa benefiteve që ende nuk po shihen po të lëmë mënjanë vizitën e Renzit e të Merkelit. Vizita që nuk sollën diçka reale në planin ekonomik. Mund të thuhet se Shqipëria ka dy miq të fortë në Europë, por sa po kthehet kjo në të mira për qytetarët? Apo në ndihma reale për vendin? Ende nuk ka diçka të prekshme. Politika në Tiranë ka kërkuar përherë nga të huajt miratimin për status quo-në. Dhe ja ka dalë. Mirëpo ikja masive e njerëzve po merr me vete edhe mesazhin se kjo politikë e tutorimit si koloni, nuk ecën më. Nëse diçka do të duhet të ndryshojë kjo është patjetër qasja. Nga të dyja palët. Përndryshe...Saksonia do të jetë lajm.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.