Gjergj Buxhuku e Zef Preçi: Aksioni kundër informalitetit, një sistem i ri fiskal mund të justifikonte
Problemet që lidhen me korrupsionin, me informalitetin, me evazionin janë probleme të lidhura integralisht midis tyre, që ushqejnë njëra-tjetrën. Ndërkohë përfaqësuesit e biznesit gjejnë si shkak të informalitetit aplikimin e taksës progresive duke e renditur atë ndër faktorët kryesorë që ka sjellë rritje të evazionit. Në një prononcim për “Ora News” administratori i Konfindustrisë deklaron se tashmë bizneset evitojnë pagesat e taksave duke dhënë rryshfet. “Ne duhet të vazhdojmë së pari politikën e procedurave fiskale të thjeshta, pra sisteme të njësuara dhe jo të shkallëzuara tatimesh dhe taksash dhe së dyti duhet të kishim taksa dhe tatime të ulëta, në të cilat bizneset dhe qytetarët duhet të ishin të interesuar vetë që të paguanin më mirë në shtet se sa të paguanin dhe korruptonin funksionarët e institucioneve fiskale.” thotë Gjergj Buxhuku.
Edhe eksperti Zef Preçi shprehet për “Ora News” se përshkallëzimi i taksave ka nxitur sidomos biznesin e madh që të abuzojë dhe të mos paguajë taksa. “Sa më kompleks sistemi, me sa më shumë fraksione, krijojnë mundësinë për korrupsion, pra është vetë administrata që i mëson biznesit se si tu shmangen taksave dhe njëkohësisht vetë bizneset, që është prirje e natyrshme kur nuk shohin shumë ura midis kontributeve dhe përfitimeve në taksa, të tentojnë të shmangen”, shprehet Zef Preçi.
Nisja e aksionit kundër informalitetit sipas biznesit konsiderohet një punë e përditshme. Prandaj ata mendojnë se vetëm një sistemi i ri fiskal mund të justifikonte lajmërimin e një aksioni të tillë.
Add new comment