Dhuna kolektive dhe masakra kanë rrënjë që në prehistori

Postuar në 21 Gusht, 2015 03:06

Shkencëtarët e përshkruajnë Europën e Neolitit, kur janë edhe fillesat e shoqërisë bujqësore, si një epokë të dhunshme ndër njerëzit. Ky konkluzion i referohet zbulimit të disa siteve si ai i Talheim në Gjermani apo edhe i Asparn/Schletz, Austri, me trupa të lënë pa u varrosur, me gjurmë të një dhune të jashtëzakonshme, deri edhe me shenja kanibalizmi. Është folur edhe për idenë e një “lufte totale” me synim asgjësimin e komuniteteve të veçanta. Këtë ide e përforcon zbulimi rastësor në vitin 2006, i një siti tjetër, ai i Schöneck-Kilianstädten, në Gjermani. Të trija këto site i përkasin Kulturës së Qeramikës Lineare(5600-4900 p.e.s), sipas emërtesës që është bërë nga arkeologë gjermanë. Ky sit, ku janë konstatuar rreth 20 trupa njerëzorë në një varr masiv, të dhunuar në mënyrë ekstreme, “me thyerje të qëllimshme dhe sistematike të gjymtyrëve”, hedh më shumë dritë në idenë e Dhunës Kolektive në fund të periudhës së Kulturës së Qeramikës Lineare. “Karakteristika vërtet unike e varrit masiv në Kilianstädten, që më parë ishte i panjohur për Kulturën e Qeramikës Lineare, është modeli i qartë i thyerjes së kërcinjve të këmbëve, përpara vdekjes së viktimave. Dëmtimi rastësor përjashtohet, kështu që një shpjegim do kërkuar në aktet e dhunshme pak përpara hedhjes së trupave në varr. Thyerja e këmbëve në mënyrë specifike, me siguri përcillte një mesazh, që mund të deshifrohet duke krahasuar gjetjet në site të tjera...Kufizimi i lëvizjes, mund të jetë praktikisht dhe simbolikisht arsyeja kryesore...”, thuhet në punimin e publikuar nga PNAS.

Masakra e Kilianstädten, merr kuptim pasi siti mendohet se ndodhet në një zonë kufitare mes nëngrupeve të ndryshme që klasifikohen sot se i përkisnin kulturës së Qeramikës Lineare. Autorët sugjerojnë se të dhënat e gjetura në varrin masiv në fjalë, ofrojnë prova për luftën kolektive në fazën parashtetërore në Europën e Neolitit. Bëhet fjalë për asgjësim të organizuar të njësive të tëra sociale, që tipizon luftën e hershme, e përsëritur madje, gjithnjë duke prezumuar disa shkaqe si: rënia e prodhimit bujqësor, disbalancimi ekologjik, apo edhe pabarazia. “Masakrat duket të kenë qenë strategjia kryesore në prehistori”, shkruajnë autorët, pohim ky që ngjan shumë i afërt në përmbajtje me karakteristikat e shekullit të 20-të.

http://www.pnas.org/content/early/2015/08/12/1504365112.full.pdf

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.