Shënim: Shtypni kasat dhe paguani, vetëm “kur të bëhet shtet”

Postuar në 16 Gusht, 2015 16:34

Rasti më i fundit i raportuar, ai i konçesionit të përmbarimit të gjobave, i shtohet listës së gjatë të çudirave që ka prodhuar kjo qeveri. Konçesioni i skanimit me “Rapiscan”, i cili në fillim u shpall i paekzekutueshëm, e më vonë u rifirmos, defiçiti skandaloz në të ardhurat, ku edhe firma e kontraktuar “Crown Agents” ka folur për korrupsion në dogana, nismat ligjore të hedhura poshtë nga Gjykata Kushtetuese, konçesionet në shëndetësi, ku spikat ai i dializës, akti për ripagimin e pasaportave për fëmijët, si pasojë e një “gabimi teknik”, loja e fshehtë e tatimit të rrogave të ulëta, mbajtja e çmimit të naftës në nivele rekord, janë vetëm disa nga faktet që flasin për një qeveri që punon vetëm për vete. Punon duke mos u ndalur para asnjë padrejtësie sociale, që mendon se i mbulon me akte legalizimi të turpshme që i ngjajnë lëmoshave. Një qeveri që rriti pensionet me 1.4%, duke u tallur hapur, e që aktualisht ka 10 mijë punonjës të administratës lokale pa paguar për shkak të një reforme pa ligjet plotësuese. Një qeveri, qytetarët të cilët supozohet se i qeveris, duan të ikin në masë.

Është një fakt që e përjetojmë të gjithë; qytetarët sot jetojnë në një realitet i cili zhvillohet paralel me regjimin juridik që Shqipëria mëton se ka. Dhe moszbatimi i ligjit, devijimi, apo neglizhimi i tij, nis pra që nga qeveria. Një qeveri që në kulmin e krizës, shpall luftën kundër informalitetit dhe evazionit, akt ky që nuk përkon aspak me zbatimin e përgjegjësive të vetë saj. Do të bëhet luftë kundër atyre që nuk shtypin kasat fiskale, ndërkohë që pranohet se në treg operojnë kompani të shërbimit të kasave, të paautorizuara. Do të luftohet evazioni dhe informaliteti, nga një qeveri që nuk është distancuar nga elementët kriminalë që ka në Parlament; do të ndërsehen policët tatimorë për të rizhvatur, e pse jo, futur në burg, ndonjë tregtar që mban familjen, njësoj siç bën kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës: teksa i heq ata që shesin rrugëve ne emër të revolucionit në Tiranë, në zemër të Bllokut di të mbyllë sytë(http://syri.net/index.php/2015/08/15/klientelizmi-i-veliajt-vetem-lokali...). “Ne do të bëjmë shtet”, përsërit shpesh Kryeministri. Shtet do të thotë emërues i përbashkët në zbatimin e ligjit, shtet do të thotë të fillosh pastrimin nga lart, e jo nga poshtë, aty ku mbeten thërrimet. Shteti nuk krijohet me alibi dhe shembuj. Me alibinë e gjykatës që nuk e kontrollon dhe shembullin e një të pambrojturi që e fut në burg për telat e dritave. Sepse nëse nuk kemi gjykatën, asgjë nuk pengon qeverinë që të dërgojë të vetët, që po bëjnë kërdinë, për t’u gjykuar. Nuk bëhet me shembuj, pasi shembulli nxit pyetjen: po peshqit e mëdhenj kur do të shkojnë pas hekurave? Sepse nuk mund të akuzohet drejtori i barnave dhe ministri të dalë palagur.
“Ne do të bëjmë shtet”, thotë Edi Rama. “Do të flas kur të bëhet shtet”, i tha emigranti kryeministrit(http://www.respublica.al/content/do-flas-vetëm-kur-të-bëhet-shtetvideo). I cili do besuar se thotë të vërtetën, pasi për t’iu referuar sërish zotit kryeminstër, “shqisa e publikut është e pagabueshme”. Deri atëherë çdo burgosje për arsye të tilla është akt i një bande.
s.z

Comments

Submitted by Ezra (not verified) on

Pak jashte teme - por jo dhe shume: keto foto te lidereve politike me femije te vegjel, qingja, kotele, kelyshe qeni, keca, gica, biba etj. kane qene perdorur nga diktaturat per te sugjeruar idene e udheheqesit si baba te kombit, prindi yne i perbashket, pater familias. Sa per ta kujtuar.

Submitted by orion (not verified) on

Pas fotos, Rames ia vune qingjin te pjekur ne tave.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.