Një tezë këmbëngulëse për raportin “e pathyeshëm” Rama – Tahiri
Kryeministri e ka shpesh shumë të lehtë të ironizojë mediat, apo edhe t’i shpërfillë ato, kur vjen puna për publikimin e disa lajmeve me burime, të cilat në përgjithësi nuk janë pozitive në raport me qeverinë. Lajme që duhen konfirmuar. Mirëpo nëse kritika e z. Rama qëndron, ajo bie poshtë kur praktika dëshmon se edhe qeverisë i intereson deligjitimimi i medias. P.sh kryeministri kërkon si minimum që lajmi të jetë me dy burime, ose të ketë të përfshirë edhe reagimin e palës së përfolur apo akuzuar. Pra qeverisë. Por sa e vështirë është të komunikosh edhe me zëdhënësat, këtë kryeministri a e di? Nga ana tjetër, mediat fitojnë hapësirë edhe për shkak të një heshtjeje kompromentuese për disa çështje delikate. Le të marrim rastin e fundit: pushimet e ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, temë për të cilën shkruajti media. Sipas tyre ministri pushon në Korfuz në një hotel me 1400-3000 euro nata. Ministri heshti. Edhe ditën e dytë, edhe të tretë. Shpërndau një foto, por vetë nuk tha: “Jo, nuk është e vërtetë kjo që thoni”. As kryeministri nuk e përmendi në intervistën e vet. Ndoshta do duhej, meqenëse në disa pyetje e "vuri median me shpatulla për muri". A nuk kemi të drejtë të themi që po përdoren dy standarde? Se pushtetarët nuk kanë qejf që të flasin për tema të tilla? P.sh një pyetje që lind natyrshëm është: Pse e mbron kaq shumë Edi Rama ministrin e Brendshëm, saqë i toleron thuajse çdo gjë? Apo tjetra: Pse ngjan kaq e paprekshme drejtoresha e Tatimeve edhe kur ka 122 milionë dollarë defiçit?
Në momentin kur qeveria nuk jep sqarime apo nuk njeh përgjegjësi për këto, është e logjikshme që të besohen versione sado të mjegullta, apo të instrumentalizuara. Ta zëmë, për lidhjen kaq të ngushtë Rama-Tahiri, PD-ja i mëshon një skenari që duket se implikon disa të vërteta. “Fotografia e ministrit të Brendshëm në një hotel të Sarandës, nuk e shmang Kryeministrin Rama nga përgjegjësia ligjore dhe qytetare, që t’i kërkojë publikisht Saimirit të tij të bëjë transparencën për pushimet përrallore në Korfuz. Fakti që Rama luan me djalin dhe kamerdare në brigjet shqiptare të Jonit nuk i krijon atij asnjë alibi se nuk ka dijeni për pushimet, shpenzimet dhe pazaret e ministrit të tij në brigjet greke të Jonit. Saimiri zbatoi urdhrat e Ramës kur liroi makinën e Frrokut që strehonte të shumëkërkuarin. Saimiri zbatoi urdhrin e Ramës kur fshehu urdhrin e Interpolit për arresimin e Frrokut të dënuar për vrasje në Belgjikë. Saimiri zbatoi urdhrin e Ramës kur liroi Frrokun që të merrte arratinë drejt Kubës”, shkruan sot “RD”. Të mos harrojmë që politika lexon mes rreshtash.
Comments
privat
Ky koment ka shume nivel te ulet. Llafe pazari. Perfytyrohet Rama si dado e ministrave dhe e gjiththe atyre qe punone ne qeveri. populli thote: "berri varet nga kembet e veta".
Add new comment