Ilir Meta: Jemi kundër personalizimit dhe parcelizimit të qeverisë
Ilir Meta, si kryetar Kuvendi e si kryetar partie ka dhënë një intervistë për “News24”. Ilir Meta flet për atë që në media është cilësuar si një raport i ndryshuar mes PS-LSI. “Raporti PS-LSI është mjaft pozitiv, konstruktiv dhe bashkëpunues dhe sidomos raporti me socialistëve në përgjithësi”, thotë ai. Ndërkohë Meta ka mohuar një koalicion të mundshëm PD-LSI për të cilin gjithashtu është folur në media kohët e fundit, duke thënë se: Ne nuk kemi votuar për një koalicion të tillë.
Ndërkohë Meta deklaron se LSI e mbështet pa asnjë rezervë qeverinë dhe çdo reformë të saj. “LSI i ka dhënë mbështetje maksimale kësaj qeverie. LSI është kundër personalizimit dhe parcelizimit të qeverisë dhe ka punuar për frymën e bashkëpunimit brenda qeverisë dhe koalicionit”. Ndërsa i pyetur rreth nevojës për ndryshime në qeveri ai thotë: “Përmirësimi i qeverisjes në mënyrë të vazhdueshme është diçka tjetër, ndërsa ndryshimet konkrete janë diçka tjetër. Përmirësimi i politikave në ato drejtime, ku ato nuk kanë dhënë efektet e pritura, janë një reflektim i mençur dhe ne të gjithë kemi nevojë për t’u përmirësuar çdo ditë”.
I pyetur rreth raportit të Ministrisë së Financave për mosrealizim të të ardhurave në 6 mujorin e fundit dhe reagimit të mazhoranca për këtë çështje, Meta thotë: “Problemi i parë dhe i fundit për të cilin duhet të preokupohemi është ekonomia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Natyrisht që rritja ekonomike e vendit është sfida më e madhe që kemi të gjithë, jo vetëm qeveria, por edhe opozita dhe mbarë shoqëria shqiptare, sepse kuptohet që një rritje e madhe ekonomike do të thotë më shumë mundësi për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe e kundërta; një tkurrje e rritjes ekonomike i kufizon këto mundësi. Po të kemi në konsideratë zhvillimet në Greqi e rajon, sfidat sa vijnë e shtohen dhe kjo përparësi duhet të dominojë axhendën e të gjithëve”. Meta ka komentuar situatën dhe treguesit e fundit ekonomikë, duke rihedhur e duke trajtuar tezën e një “politike më të mençur” taksash, me anë të së cilës sipas tij, të mbrohen shtesat e margjinalizuara të shoqërisë. Kreu i Parlamentit ka deklaruar se edhe dukuria e azilkërkimit nga shqiptarët, është një paralajmërim gjithnjë e më serioz për vëmendjen që duhet t’iu kushtojmë ekonomisë dhe problemeve sociale.
Parlamenti ka paralajmëruar këtë sesion reforma të thella, e këtu përmendet ajo në Drejtësi. Duke folur për këtë pikë, Meta thotë: “Reforma në Drejtësi mbetet më e rëndësishmja dhe unë shpresoj në një bashkëpunim sa më të mirë në Parlament dhe përmes Parlamentit, midis gjithë aktorëve të tjerë, për ta kurorëzuar me përgjegjësi të plotë, sepse kjo reformë nuk është qëllim në vetvete.” Ndërsa i pyetur rreth zërave se LSI nuk ishte e interesuar ta bënte këtë reformë nëpërmjet Ministrisë Drejtësisë, dhe PS mori ‘flamurin’ me Komisionin e Reformës në Drejtësi, kryetari i Kuvendit thotë: “Kemi të bëjmë me spekulime, që s’ka asnjë lidhje me të vërtetën e reformës në drejtësi, e cila u vendos të kryhej me një komision të posaçëm në Parlament, pikërisht se nënkupton konsensusin dhe përfshirjes së opozitës, e cila është në parlament dhe jo në Ministrinë e Drejtësisë. Ndaj gjithçka tjetër është një spekulim dhe një lojë verore”
Add new comment