Rapiscan “rifillon” punën më 26 gusht

Postuar në 11 Gusht, 2015 20:32

Marrëveshja e re mes qeverisë shqiptare dhe  dhe shoqërive “S2 Albania”,  sh.p.k., dhe  “Rapiscan  Systems”, INC do të nisë të zbatohet më 26 gusht.  Sipas marrëveshjes së re, tarifa e shërbimit të skanimit për deklaratat doganore, me vlerë nën ose të barabartë me 1 000 euro,  do  të  jetë  5  euro  për deklaratë  doganore ose vlera  përkatëse në  lekë, konvertuar sipas procedurave doganore. Tarifa e shërbimit të skanimit për deklaratat doganore, me vlerë më të madhe se 1 000 euro, do të jetë 22  euro për deklaratë doganore ose vlera përkatëse në lekë, konvertuar sipas procedurave doganore. Marrëveshja parashikon që shërbimi  i skanimit  të kontejnerëve dhe automjeteve   të   tjera    trajtohet    si   furnizim  i tatueshëm me TVSH me shkallë tatimore 0 (zero).

Kontrata ishte nënshkruar më 10 prill 2013 nga qeveria Berisha dhe u kundërshtua fuqishëm nga opozita e atëhershme socialiste. Nëpërmjet kontratës, sipas përllogaritjeve, kjo kompani do t’i merrte biznesit më shumë se 20 milionë dollarë në vit, me një kosto shtesë prej 39 euro për konteiner.

Po ashtu kompania “Rapiscan”, pasi mori koncesionin 210 milionë euro për skanimin e mallrave në doganat shqiptare, më 16 shtator 2013 i ka transferuar kompanisë ICMS 49 për qind e aksioneve, për 5 mijë lekë të vjetra. Nga dokumentet e QKR-së rezulton se, aksioneri i vetëm i ICMS është mjeku Olti Pecini. Qeveria i pranoi faktet, por tha se ishte e pafuqishme për të vepruar.

Me prishjen e kontratës nga qeveria socialiste, tashmë në pushtet, kompania Rapiscan dorëzoi më 14 gusht 2014 një kërkesë për Arbitrazh. Me ndërmjetësimin e firmës ligjore të bashkëshortes së Tony Blairit, Omnia Strategy, u arrit marrëveshje me Rapiscan për të ndryshuar vetëm termat e koncesionit, marrëveshje që u miratua në parlament në 28 prill 2015.

Sipas aneksit sqarues paditësit do të përballojnë shpenzimet për Gjykatën dhe IÇ-në. Të gjitha shpenzimet e tjera të Arbitrazhit, duke përfshirë kostot e përfaqësimit ligjor do të mbulohen nga Pala, e cila i ka shkaktuar ato.

l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.