Shqipëria është larg ngjyrave të Edi Ramës*
Rezultatet e pritshme të zgjedhjeve lokale të 21 qershorit krijuan, ashtu siç pritej, iluzionin e rrejshëm se në këtë vend, më saktë në qeverisjen e këtij vendi, punët po shkojnë mirë e bukur. “Na shihni, vetë na votuat, jemi më të mirët”, dukej sikur thoshte (dhe thotë, për fat të keq), qëndrimi i fitimtarëve të majtë, në një mjedis të lodhur, ku më shumë u sherrosën në heshtje Rama dhe Meta, sesa pozita me opozitën.
Ja që gjendja nuk është krejt ashtu siç e pasqyrojnë votat e zgjedhjeve të fundit. Të atyre votimeve të cilat më shumë se kurrë funksionuan kësaj rradhe sipas parimit “Ne s’jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka”. Rrallëherë një batutë si kjo i ka shkuar kaq mirë një maxhorance, e cila e ka të vështirë t’i gëzohet faktit se qeveris pothuajse pa kundërshtar përballë. Ngecjet serioze në ekonomi, stanjacioni në investime, rezultatet gjithnjë e më pak rozë në taksa e tatime, bërrylat e FMN për të shbërë edhe ato që kanë qenë premtime solemne të Edi Ramës në fushatën e vitit 2013, lodhja e segmenteve të tëra të ekzekutivit dhe një bashkëpunim dukshëm i vështirësuar mes PS e LSI në të përditshmen e qeverisjes së shtetit – të gjitha këto nyje janë mbledhur tani në gurmazin e të majtës shqiptare dhe duhet mund e vullnet për t’i kaluar poshtë, pa u mbytur.
Pas dy vjetëve në inercinë dhe entusiazmin e rikthimit në pushtet pas tetë vjetësh, e majta duhet të nisë të materializojë axhendën e punëve të vështira që presin këtë vend. Ekonomia më e para, shteti ligjor, reformat e mëdha si ajo në drejtësi, janë këto piketat që nuk përballen me fjalë, por me veprime konkrete. Humori gri i shqiptarëve po zhurmon gjithnjë e më fort, për ata që kanë veshë dhe që duan të dëgjojnë.
Shqipëria e sotme është gjithnjë e më larg nga koloritet me të cilat e përshkruan kryeministri shqiptar. Edi Rama ka bërë shumë punë në këtë vend në dy vjetët e shkuar. Por ai ka folur dhe ende flet gjatë. Dhe po fole gjatë, do të premtosh edhe shumë. Aq sa dikur, në një moment që ti aq vetë nuk e ve re nga lartësia e podiumit ku ndodhesh, fjalët ja kalojnë veprave të tua. Kryeministri shqiptar po përballet prej kohësh me këtë risk, që sa vjen e shtohet.
Ai duhet t’i japë një shkundje të fortë varkës ku është ulur, nëse nuk dëshëron të marrë një grusht elektoral dy vjet më pas. Shqiptarët kanë dëshmuar se dinë t’i gatuajnë hakmarrjet me vota në heshtje dhe brenda vetes, edhe kur sheshet gjëmojnë dhe kur politikanët ndjehen më të sigurt se kurrë se ja kanë arritur fitores. Fundja a nuk është hakmarrja një gjellë që hahet përherë e ftohtë?!
Javanews.al
*Titulli origjinal: Rama, kujdes ku shkel
Add new comment