Blloku Ekonomi
Serbia firmos marrëveshje me "Stellantis" për prodhimin e makinave elektrike
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç e ka cilësuar ditën e sotme si të veçantë për vendin e tij. Dhe me gjasë kjo do të jetë një ditë e veçantë edhe për rajonin në kushtet kur çdo individ tanimë orientohet nga kërkesa për mirëqenie dhe punë. Vuçiç ka njoftuar firmosjen e një marrëveshjeje me kompanianë Stellantis për prodhimin e makinave elektrike në Serbi, proces që do të nisë në vitin 2024.
250 milionë euro vlera e transaksioneve të pronës për vitin 2021
Revista “Monitor” raporton sot se vlera e transaksioneve për pronat gjatë vitit 2021 arrit në shifrën e 250 milonë eurove, përllogaritur kjo përmes deklarimit të Tatimit mbi të Ardhurat Personale. Sipas revistës, TAP i arkëtuar për vitin që lamë pas ishte 26% më e lartë sesa ajo e vitit 2020, duke provuar kështu se prona dhe ndërtimi mbeten investimi kryesor në vend.
Elon Musk, pronari i ri i Twitter
Elon Musk ka marrë në kontroll Twitter. Pas lajmeve të para se Këshilli Administrativ kishte refuzuar ofertën e sipërmarrësit amerikan, mediat raportojnë se tashmë çdo gjë ka ndryshuar. Rrjeti social ka njoftuar se ka pranuar ofertën e miliarderit.
44 miliardë dollarë është oferta e Musk i cili ne fundjavë u ka detajuar planin e vet aksionerëve të tjerë. Çmimi i një aksioni ishte 54.20 dollarë, ndërkohë që në bursë aksionet u rritën me 6%.
Italia gjen shpëtim te Algjeria për furnizimin me gaz
Algjeria do të kalojë Rusinë si furnizuesi më i madh i gazit në Itali, falë një marrëveshjeje të arritur të hënën nga kryeministri italian Mario Draghi. Në këtë mënyrë, Roma bë hapin e parë konkret për t’u shkëputur nga gazi rus. Rusia furnizon rreth 40 për qind të gazit natyror të Italisë.
Megjithëse Draghi është shumë i përkushtuar ndaj rolit të Italisë si aleat i ngushtë i SHBA-së në NATO, mbështetja e gjatë e Romës tek Rusia për hidrokarburet ia ka lidhur duart e Italisë kur bëhet fjalë për kundërmasat ekonomike kundër Presidentit Vladimir Putin.
Hije recesioni mbi ekonominë amerikane
Deutche Bank paralajmëron krizë recesioni në SHBA, në fund të këtij viti. Shkak për këtë do të bëhet “lufta” e Rezervës Federale kundër inflacionit.
Ky paralajmërim -- i pari nga një bankë e madhe -- pasqyron shqetësimin në rritje se FED do të godasë ekonominë aq fort sa do t'i japë fund pa dashje rimëkëmbjes që filloi vetëm dy vjet më parë.
Greqia lan duart me FMN dy vjet para afatit
Greqia ka shlyer përfundimisht borxhin ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar, në të cilin hyri gjatë krizës së euros që shpërtheu në vitin 2010 dhe rrezikoi ta nxjerrë Athinën nga eurozona. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis deklaroi sot se e gjithë kredia është shlyer dy vjet më herët se afati i planifikuar fillimisht. “Është fundi i një epoke, i një kapitulli gri në historinë e vendit”, shkroi Mitsotakis në Twitter.
Holanda dhe Spanja sfidojnë BE-në me një reformë të re fiskale
Edhe pse kanë qenë shpesh në skaje të kundërta për një sërë çështjesh, Holanda dhe Spanja janë bërë bashkë për të kërkuar rishikim të rregullave fiskale të BE-së. Të dy vendet kërkojnë konsensus në të gjithë BE-në lidhur me debatin e "Veriut kursimtar kundrejt Jugut luksoz".
Kush po e blen naftën ruse? Zhduken nga sistemi i gjurmimit 4.5 milionë barrela
Megjithë sanksionet thuajse totale, dikush po ble në masë naftën ruse. Kështu raporton revista online “Fortune” sipas të cilës produktet e naftës dhe tankersat rusë të transportit janë zhdukur nga sistemi i gjurmimit. Kompania e menaxhimit të riskut detar, “Windward” i ka deklaruar CNN se aktiviteti i paregjistruar është rritur me 600% që nga nisja e luftës në Ukrainë, çka tregon se ka një tregti që shkon përtej sanksioneve.
Turqi, rritet me 300% kërkesa për sigurimin e bujqësisë nga thatësira
Klima dhe ndryshimet e saj po bëhen tanimë problem real edhe për ekonomitë e vogla. Mediat në Turqi raportojnë se një numër përherë e më i madh fermerësh po aplikojnë për sigurim nga thatësira që provokon pasoja ekonomike serioze.
Vetëm në tre muajt e parë të vitit 2022, primi i sigurimit në bujqësi shkoi në 3 miliardë lira, pjesa më e madhe e të cilit për thatësirën. Kërkesa për sigurim ndaj thatësirës u rrit me 300%
Punonjësit e Amazon themelojnë sindikatat e para
Punonjësit e Amazon në Nju Jork organizohen për herë të parë në sindikatë. Ky hap shënon një moment historik për punëtorët e gjigantit të tregtisë elektronike, një kompani që është kritikuar shpesh për abuzimin me të drejtat e punës.
Vendimi për t’u organizuar në sindikata u mor pavarësisht se kompania i ka dekurajuar punonjësit përmes fushatave dhe njoftimeve të herëpashershme.
Gjiganti i tregtisë elektronike, i cili ka me mijëra të punësuar në SHBA, ia ka dalë të pengojë organizime të tilla që prej themelimit të saj në vitet 1990.