Ku ndryshon deklarata e zv/ministres Gjebrea nga njoftimi për shtyp dhe pse u shtua paragrafi për Ndokën? Edhe kjo qeveri e talentuar për t'i lexuar kritikat si vlerësime

Postuar në 28 Korrik, 2015 10:54

Ka një ndryshim mes deklaratës në konferencën për shtyp të zv/ministres së Brendshme  Elona Gjebra mbi raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikun e qënjeve njerëzore dhe njoftimit të shpërndarë për  mediat pas konferencës.

Në daljen për mediat zonja Gjerbera renditi gjetjet pozitive të departamentit Amerikan të Shtetit mbi luftën që po bën Shqipëria kundër trafikut të qenieve njerëzore, ndërsa nuk komentoi fare shqetësimin e ngritur nga DASH për praninë në kuvend  të  një deputet shqiptar që ka qenë i dënuar për trafik prostitucioni, duke iu referuar deputetit socialist Arben Ndoka.

“Gjetjet e raportit janë më të mirat për Shqipërinë, që kur DASH ka filluar të hartojë raporte të tilla. Në këtë raport renditen më shumë se 22 arritje konkrete në përpjekjen e qeverisë dhe MB në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Ne e konsiderojmë këtë raport si një vlerësim për arritjet e Qeverisë Shqiptare dhe njëkohësisht nxitje të mëtejshme për të bërë më shumë në drejtim të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore”-tha ndër të tjera zonja Gjebrea në konferencën për shtyp.

Ajo që nuk u tha në konferencë dhe që u shtua më pas në njoftimin për shtyp ishte ky paragraf që sipas ministrisë së Brendshme iu shtua tekstit të deklaratës pas interesimit të disa mediave on line: “Lidhur me rastin e deputetit të përmendur në raport ju bëj me dije se  nga shtatori i ardhshëm Qeveria Shqiptare është tërësisht e angazhuar të hartojë bashkë me partnerët, një kuadër ligjor specifik për të plotësuar standardet më të larta që do i japin zgjidhje njëherë e mirë kësaj çështjeje kaq të debatuar. Ne refuzojmë të merremi me fjalë, ashtu siç refuzojmë ta trajtojmë këtë çështje për konsum të politikës së ditës, por jemi të angazhuar të veprojmë dhe hartimi i këtij ligji do të jetë përgjigjja jonë më e mirë ndaj kusureve që na ka lënë qeveria e mëparshme”.

Pyetja që shtrohet është pse Ministria e Brendshme duhet ta shohë si reagim ndaj interesimit të mediave përgjigjet për shqetësimet e DASH dhe jo si detyrim ndaj publikut? Farsa për të lexuar paradë suksesesh edhe kur e zeza mbi të bardhë thotë se qeveria nuk ka përmbushur standardet minimale  tregon se ajo çfarë kanë të përbashkët qeveritë shqiptare është talenti për të parë vlerësime atje ku ka kritika, për të cilat këtë radhë ka dhënë përgjigje zv/minitrja Gjebrea dhe jo ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri. Ja një pjesë e vlerësimit të Departamentit Amerikan për qeverinë shqiptare: “Bashkëpunimi i zyrtarëve në krimet e trafikimit mbetet një shqetësim i rëndësishëm. Një deputet i tanishëm i parlamentit ka qenë dënuar më parë për krime që lidhen me trafikimin. Qeveria e Shqipërisë nuk i plotëson krejtësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit të qenieve njerëzore, megjithatë po bën përpjekje të rëndësishme në këtë drejtim”-thuhet në raport

l.m

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.