Eurobondi, ofertat e para larg parashikimeve. Ministria e Financave: “Do të pritet një moment i ri, për të vlerësuar oferta më me leverdi”

Postuar në 01 Gusht, 2015 10:04

Ashtu siç ishte parashikuar (http://www.respublica.al/artikuj/2015/07/21/hua-e-re-prej-50...), Shqipëria ka bërë ofertën e vet përmes eurobondit, në muajin korrik 2015. Në përgatitje të këtij hapi, u miratua edhe një ligj i posaçëm, sipas të cilit Shqipëria kërkon në tregjet ndërkombëtare një hua prej rreth 500 milionë eurosh, që është vlerësuar se do të jetë me interes “ndjeshëm më të ulët sesa 7.5%”, që është edhe interesi i eurobondit të emetuar në vitin 2010. Për menaxhimin e procedurave dhe hollësi e teknike, në ligj parashikohet marrëveshja me dy “bashkërregullues kryesorë”, “JP Morgan” dhe “Deutsche Bank”. Mirëpo duket se gjërat në përpjekjen e parë nuk kanë ecur sipas parashikimit. I pyetur nga “ResPublica”, zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Bardhi Sejdarasi, tha se “ofertat nuk ishin të leverdisshme”. “Deutsche Bank”, që menaxhon eurobondin, mendoi se ofertat do të ishin të mira nisur nga arritja e marrëveshjes me Greqinë. Mirëpo nuk rezultoi kështu. Ndaj do të pritet një moment tjetër për të marrë interesat që kanë leverdi”, tha ai. Në relacionin e ligjit shprehet qëllimi i emetimit të eurobondit nga qeveria, si dhe vlerësimet se përse oferta u hap tani: “Emetimi i Eurobondit në vitin 2015 nuk do të sjellë rritje në nivelin e borxhit, pasi zëvendëson një borxh ekzistues me një tjetër më të favorshëm përsa u përket rreziqeve dhe kostos. Nga vlerësimet paraprake të bankave ndërkombëtare pritet që eurobondi i ri të merret me një normë interesi ndjeshëm më të ulët se 7.5%. Emetimi i këtij instrumenti është në përputhje me objektivat e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit Publik, të hartuar nga Ministria e Financave. Eurobondi do të jetë me madhësi 300 ose 500 milionë euro dhe me maturim 5 ose 7-vjeçar. Dalja e Shqipërisë sërish në tregjet ndërkombëtare të kapitalit pas 5 vjetësh mungese është një sinjal mjaft pozitiv për sa u përket kredencialeve të vendit tonë, përmirësimit të imazhit dhe rritjes së besimit të investitorëve”, thuhet në dokument (http://www.parlament.al/web/pub/relacion_eurobondi_procedure...). Nuk ka një arsye përfundimtare pse ofertat nuk kanë qenë ato që priteshin, të përcaktuar në kutotat në fjalë pas një përgatitjeje gati 1 vjeçare. Përveç faktorëve të jashtëm në tregje, që janë kryesorë, një pyetje, ndonëse mbetet spekullim, është nëse ka ndikuar në këtë çështje pezullimi i marrëveshjes financiare mes Shqipërië dhe FMN-së. Pasi, njësoj sikurse ardhja e FMN-së, mund të ketë shërbyer si garanci më shumë për Shqipërinë, edhe ngrirja e marrëveshjes me të, mund të ketë gjithsesi një ndikim në imazhin e vendit.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.