Mbështesim SPAK-un, por nuk ndërhyjmë. Gjermania nuk ka probleme me Sali Berishën

Drejtori i Zyrës së Fondacionit "Konrad Adenauer" në Shqipëri thekson se Prokuroria e Posaçme vijon të ketë mbështetjen e ndërkombëtarëve. Ai i konsideron ndërhyrjet për përmirësimin e reformës çështje të brendshme, por thotë se shteti i së drejtës dhe institucionet e reja duhet të jenë në të njëjtën linjë me rekomandimet e Bashkimit Europian.
Kur u krijua SPAK, bashkësia ndërkombëtare dha mbështetje të madhe, dhe kjo mbështetje vazhdon edhe sot, kryesisht nga institucionet e BE-së. Qëndrimi im konkret është ai që ju dhashë në përgjigjen time të fundit: gjërat që kanë të bëjnë me zhvillimet e brendshme të një vendi janë çështjet e atij vendi. Sigurisht që ne mund të ofrojmë këshilla dhe ekspertizë nga jashtë, por vërtet e kam të vështirë të ndërhyj në punët e brendshme të një vendi apo edhe të shpreh mendimin tim për procese, çështje gjyqësore, arrestime, ku e njoh sfondin specifik vetëm nga shtypi, nga diskutimet, por si fondacion politik gjerman nuk jemi as paditës, as mbrojtës, as gjykatës.
Thomas Kunze thotë se fondacioni që ai drejton është i gatshëm të japë ekspertizë për përmirësimin e reformës nëse do t’i kërkohet.
Nëse ekspertiza jonë kërkohet, ne e ofrojmë atë, por që t'u japim këshilla partnerëve tanë "bëni kështu ose bëni ashtu, përndryshe nuk bashkëpunojmë me ju", kjo nuk është puna jonë. Qytetarët shqiptarë duhet të vendosin vetë. E di që BE dhe institucionet e saj e mbështesin këtë reformë në drejtësi dhe po ashtu edhe SPAK-un, dhe ka arsye të forta për këtë, por siç thashë, ne si organizatë gjermane, si një fondacion politik, mbështesim me punën tonë çështje përmbajtësore, por në të vërtetë nuk mendoj se është mirë kur një organizatë e huaj i thotë një vendi tjetër, apo miqve ose partive të bëjnë diçka në këtë mënyrë ose në atë mënyrë
Në intervistën e parë për MCN Tv si drejtor i Fondacionit, Kunze thekson se Partia Demokratike është partnere e PPE dhe CDU-së në Gjermani dhe përderisa janë zgjedhur problemet e brendshme në atë formacion politik, bashkëpunimi me Berishën nuk përbën problem.
Ne bashkëpunojmë me PD. Situata në PD tashmë është e qartë. Kryetari quhet Sali Berisha, i cili njihet nga të gjithë anëtarët e PD-së. Prandaj nuk është problem për ne, edhe pse sigurisht që do të ishim të lumtur nëse do të zgjidheshin problemet që ai ka në Amerikë dhe Britaninë e Madhe. Dua të theksoj gjithashtu se bashkëpunimi ynë dhe prania jonë këtu në Shqipëri nuk përqendrohet vetëm te PD. Ne punojmë për një gamë të gjerë temash edhe me partnerë të tjerë, përfshirë edhe partinë aktuale qeverisëse, ndaj së cilës nuk do të jemi armiqësorë, për hir të Zotit, dhe natyrisht trajtojmë një shumëllojshmëri temash, jashtë politikës
Kunze vlerëson se kancelari i ri i Gjermanisë do të bashkëpunojë me qeverinë shqiptare, kushdo qoftë ajo, në kuadër të shtetit të së drejtës dhe integrimit në BE.
Add new comment