E do më kush këtë vend?
Helmi nis që në mëngjes. Sa del nga pallati e sheh mbeturina ushqimore në rrugë. Një letër byreku mbi parvazin e katit të parë, një bidon uji në një mur aty pranë. Ka përherë një rrjedhë uji mes pallateve të Tiranës, që ka gjetur rrugën mes një kalimi gjysmë asfalti, e gjysmë zhavori.
Diçka kullon nga lart e kur kthen kokën që të ruhesh, fasada e zhvatur e pallateve, sajesat me shtesa, grilat me gjithfarë ngjyrash, apo dritare me çdo përmasë, të kujtojnë se je në proces negocimi të përjetshëm me normalitetin. Njerëzit që dalin nga këto pallate, nga këto banesa nuk kanë lidhje me imazhin e tyre. Shqiptarët janë shumë më të kapardisur dhe të kujdesshëm se shtëpitë e tyre nga jashtë.
I hipën makinës, nisesh. Dhe këtu helmi ridozohet mjaftueshëm sa për të marrë vendimin se duhet të harrosh. Motorra picerish që ecin si duan, parkime paralele në kundërtabelë, trafik, trafik. Shpresa se do shpëtosh është varur në horizontin e një semafori që ditë për ditë të krijon përshtypjen se është vënë aty nga një dorë e ligë, me ligësi dhe për të plasur njerëzinë.
Sa nisesh, ai bëhet i kuq. Sa e kalon, ka viza të bardha sipër të cilave pllenojnë durimin tënd kolegët këmbësorë që ecin serbes. Me celularin në dorë. Pse ndodhin këto kur ke nxitim vallë? Një Zot e di si mplekset puna urgjente me padurimin dhe trafikun përherë!
Nuk ka vend ndoshta në Europë të ketë anatomi urbane si Tirana. Rrugë që kryqezohen kudo me një rrugicë të ngushtë. Kapakët e pusetave janë përjetësisht në diznivel, janë gropa artificiale e punëve të mëdha. Parkimet zihen me bidona dhe biçikleta. Ndodh që dikush rri roje në vendin bosh për të të thënë se e kam zënë unë dhe po pres dikë. Cili Kod Rrugor e rregullon këtë? Me pak fantazi mund të imagjinosh një gomar të lidhur aty…
Plehra, shumë plehra. Ngado. Nuk ndahen. Kazanë të mbushur dingas aq sa të vjen të pyesësh: po këta pse nuk I bëjnë kulla?
Kjo është pjesa e përditshme e një njeriu që jeton në këtë vend. Në zemër të tij nëse duam. Pjesa e pamjes, e dukjes, që shtyhet në një modesti dhe rigorozitet të diktuar nga lodhja e vazhdueshme e fjalëve pa mbarim që prodhojmë të gjithë. D.m.th të paktën në një vend kaq të vogël, mëngjesin duhet ta kem rutinën time, me gjëra bazë, që nuk cenojnë kënd. Me një itinerar që do të duhet minimalisht ta toleronte inkubimin e vetëimponuar të orëve të para të ftillimit se një ditë e re ka nisur. Nga e para. Jo. Nuk e ke këtë mundësi që gjërat më elementare të jenë kështu siç duhet të ishin, pra elementare. Një gungë, një gropë, një pështymë, kundërvajtje, njerëz që ecin si duan dhe ja mirëmëngjes në kasaba! Ka kush mall për Tiranën e një të djele gushti? Gati bosh. Gati vetëm, e çliruar, e qetë, e pafrustruar nga shqiptarët që e kanë ndotur sa nuk ka më.
Mëngjesi do të duhet të ishte shpresa për t’u arratisur pak nga dita që vjen, nga puna, nga zhurma, streset, ankesat, lodhjet, padrejtësitë, pakënaqësitë. Por edhe gara. Gara për të qenë në krye të një lodre që shpjegohet vetëm me filozofinë e marifetit. Përditë ndodh diçka që ti duhet ta dish, parashikosh. Duhet të jesh në lartësinë e kërkesave të konkurencës që ka kjo shoqëri. Ka një lajm të madh në mëngjes, që parakalohet nga një analizë në drekë dhe që është bërë karikaturë në mbrëmje. Mendon se di diçka, ke mësuar një gjë të re, por koha kalon dhe kupton se në këtë vend ka patur, ka e do të ketë vetëm një Lajm, një dije dhe një diplomë. Për të gjithë.
Koha kalon dhe njeriu e kap veten duke menduar njësoj si ata që ka gjykuar deri më dje. Sepse sapo ka humbur distanca morale, sapo shqisat kanë nisur të mësohen me bombardimin e zhurmës së përditshme, edhe mendja detyrohet ta sintetizojë informacionin që merr. Për të mbërritur përzishëm në dilemën: a duhet të mbllaçitemi të gjithë kështu?
Një dilemë që sa vjen e merr kuptim edhe politik, të përgjithshëm kur po shohim, të gjithë ndoshta, se këtë vend nuk e do më kush. Ose për këtë vend ka një dashuri paradoksale: e duan të varfërit, e urrejnë të pasurit. Të varfërit ndoshta sepse jeta e tyre, shijet, emocionet, e bukura dhe shqetësimi janë këtu. Por ata do të detyrohen të ikin, sepse herët apo vonë do të trokasë te kushdo fantazma e padrejtësisë, dhunës, shkeljes, banditizmit të çdo forme që do t’i detyrojë të humbasin rrugën.
Shqipëria është një vend i vogël, por këtu njeriu humbet. Nuk e di ku është më e çfarë është. Gjendja e kujtdo është kaq e brishtë, saqë vjen një kohë dhe e ndjen se duhet të pyesësh: ky është vendi im? Çfarë kam këtu? Çfarë më pëlqen?
Përgjigjet mund t’I marrësh të sinqerta edhe nga të tjerë, por rrezikon që shqipja të jetë e një niveli që të degdis në humnerën e një mërzie të cilën duhet ta trajtosh me emergjencë hormonale që të mos gradojë veten në trishtim. Jo sepse nuk ja vlen të trishtohesh për Shqipërinë, për jetën në tërësi e për fëmijët ku po rriten. Por si shqiptar do talleshe me të madhe me veten nesër kur do kujtoheshe sesa seriozisht e more veten dikur. Kjo është ligja këtu.
Po muhabetet që bëhen e keni menduar? Muhabet jo diskutime! Uluni diku, ulni kokën e lërini fjalët të hyjnë në kokën tuaj.
Një gjyq prone, një aplikim në hipotekë, një kurim jashtë, pensioni, ooo me rob shpije sa kar është ai. Një gjobë, pastaj opinion politik dhe ja e more Shqipërinë një kafe shpejt e shpejt. Pyetjet që bëjmë e na bëjnë: ça bëhet? Ça thuhet? Puna mirë? Shtyhemi.
E megjithatë nuk ka qenë kështu. Ka qenë një kohë jo dhe aq e largët që kishte më shumë gëzim, më pak para kuptohet, por më tepër jetë. Flitej edhe për gjëra të tjera, qeshej ndryshe. Çfarë e vrau humorin tonë, dëshirën për ta parë ndryshe këtë vend? Veten tonë, tjetrin, të nesërmen? Diçka ka qenë e kalbëzuar që në fillesë, e lamë të rritej mes nesh dhe tashmë kur trupi është në nekrozë na duhet të kundrojmë duke ikur atë që nuk e dinim se do na tëhuajzohej kështu.
Kush e do këtë vend më? Dhe pse? Në një farë mënyre njeriu duhet jo vetëm të dojë, por edhe të dijë të dojë, edhe veten për të arritur mandej të dojë dhe dijë të dojë vendin dhe shoqërinë ku ka lindur. Dhe ka një pjesë të frymës së vet. Përndryshe ne po lëmë pas ajrin, boshllëkun, asgjënë e një kohe që nuk shpjegohet dot veç nga bashkëkohësit e absurdit me emrin Shqiptar. Madje do të fshihej më së miri pas fasadës për veten, që është e vetmja politikë ku shkëlqejmë.
Comments
Me behet qejfi qe paska dhe
Me behet qejfi qe paska dhe nje tjeter qe duket jesoj si une kur e sheh veten ne refleksionet e pasqyres se jetes shqiptare ne Tirane, sapo del nga shtepia. Dua te te falenderoj qe me kete qe shkrove me dhe shansin te shkruaj dhe une versionin tim te Tiranes.
Po fiks tek dal nga shtepia, gjoja ne nje zone trendy te Tiranes, shoh ku do hedh kembet se troutaret jane inekzistente, plehrat kudo, dhe me nje tendence te forte gravitacionale e njerezore per te mbushur pusetat pa kapake (eh them me humor : te pakten do biem bute po rame brenda ne to, ne nje nate qorre). Ujera qe shkarkohen nga kate te ndryshme here si rreke e here ne forme parfumi si aerosole mbi koken ose lekuren time, e baskebollista nga keto kate, tek duan te bejne kosh qesen e plerave ne kazanet, si per cudi gjithmone plot. Duhen shtuar dhe makinat qe parkojne ngjitur me kazanet, po aq prane saqe duhet te paguajne cmimin e baskebollisteve "te paafte" per te bere nje kosh a gol, ndryshe nga "golat" qe bejne perdite aty ku punojne a me se meren.
Sidoqofte keta jane parkuesa zoterij se ata te egrit pakojne fiks ne hyrja e shkalles ose skic si per te kursyer vend parkimi, nen koston e atij gjysem trotuar qe tashme zihet plotesisht e ma ben te pamundur kalimin.
Lajle lulet e ekonomise te tregut neper fasadat e pallateve te tregojne gjendje e shtresen ekonomike te familjeve, ku te bie rasti te kesh siper nje komshi qe punon nga shtepia ne kohetmoderne, por mund te jete zdrugtar, ose farketar e normal i duhet nje prese pneumatike a sharre elektrike (gater u ka pas quajtur), ne shtepi se hekuri rihet sa eshte i nxehte e druri duhet punuar ne detaje. Me vone e kupton qe leket nuk i bejne me zeje te tilla te nderuara.
Pershendetem nga nje tufe qenerish te cileve ju ndron mideja gjate dites, ndoshta sipas plehrave qe hane e germojne, e sa plot e kane barkun. Nje here me shohin sikur te isha pronari i tyre e nje here per nje cm kam shpetuar pa me kafshuar. Une nuk i shoh ne sy per tju komunikuar se eshte qyteti e habitati i tyre e mund te bejne cfare te duan aty, me mua ose kedo (thone qe varen direkt nga bashkija e lalit) e une jam thjesht per vizite aty, e jam pro bashkejeteses, sikur te laheshin me shpesh e te silleshin si qener qyteti e jo qener stani. Dreqi e mori kaq gje mund ta bejne se jetojne ne qytet e njerez shohin gjithe diten e duhet te jene zbutur qe nga koha e qenerllekut e malet nga kane zbritur, Por duhet thene nga te gjitha gjuhet qe flas, ne gjuhen e QENERVE jam shume dobet (dhe kujtoja se te flisje japonisht e gjermanisht, do ishte nje fillim i mbare per te mesuar gjuhen e tyre).
Shoh ne mengjes shume njerez te kollarisur - duhet te them dhe femra seksi - qe dalin nga pallate e hypin makinat e tyre te shtrejta qe shkelqejne per te shkuar gjysem kilometri larg deri ne ministrite a vendet ku punojne ne qender, pervec gervishtjeve ne keto makina per shkak te parkimit qe tashme eshte perpjekje herkuliane ne Tirane, e qe gati me shkelin me rrota mua qe ec ne rruge tashme, se trotuaret jane jo-ekzistente. Kur dal me biciklete ndonje here, me ka ndodhur qe tek kam ndare rrugen e ngushte me makinat kane hapur dritaren e makines e me kane peshtyre duke share, mua Amerikanin qe viziton e i duket vetja sikur eshte ne Amerike, e bllokon trafikun duke mos hapur rrugen BENZ-it apo BMWse. Nuk me ka mbetur qejfi megjithese i zemeruar aty per aty, sepse e kam mare me mend qe kur ndrova shtetesine se do e peshtyjne amerikanin neper bote ( helbete e ka bere boten lemsh Amerika, e une jam fajtor direkt me taksat e mija). Prape kam dyshime tek tuk, se nuk e kam te shkruar ne balle qe jam Amerikan e tradhetine qe i bera shtetit shqiptar e shqipetareve duke i dhene "besen" nje shteti tjeter, por ... kam vazhduar rrugen e bile kam dale nga trajektorja e tyre sepse ne Rome bej si bejne Romaket, shmag ata me makina me cilindrate te madhe e qe bejne tym e zhurme shume.
Tek bej me biciklete ato 100 metra qe me ndajne nga liqeni kuptoj se sa ndryshon ajo pa te cilen nuk jetojme dot, AJRI. Shoh tek e konfiskojne kete ajer ATA duke e kafshuar pervit te shkretin park, e duke thene : ky eshte pallati i fundit ketu nuk ka me ndertime edhe sikur perpjete te hidheni.
Ke te drejte qe kur hipen ne makine e nget ( e bej kete gabim ndonje here kur dua te dal nga Tirana) sheh jeten tende qe te iken ne trafik pa levizur, e ngjyra e vetme qe ri semafori per ty eshte e kuqja (si flamuri). Te fortet futen dyshe e treshe dhe krah te kundert se e kuqja i ndez keq si demat, e une "ish-demi" jam tredhur tashme e pres ne radhe sic kam pritur ne baze te ligjit per tu bere Amerikan, e sic pres per te paguar ne nje dyqan.
E tek nget ne autostrade mund te ta marin jeten ne nje sekonde po qe se nuk i hap rrugen ne kohe atij qe te ndez dritat nga pas e ulerin, se eshte me te shpejt (ja qe shqiptaret nxitojne gjithandej e vetem ne vijat e bardha e marin me nge), mgjse edhe ti je 20-30km/h mbi limitin e lejuar te shpejtesise. Ai te parakalon ne krahun e gabuar del para teje dhe mban frena gozhde me deshiren diaboleske per ty te perplasesh me te ... qe te shkosh ti ne te s'emes e per te te ndeshkuar. Kam menduar se kjo do ishte humbje per te dyja palet por jo, ai e di qe demin me te madh do e kesh ti me motorin e jo ai me bagazhin. Ky eshte shpjegimi im idiot se akoma nuk e di psene dhe vetem e mar me mend. Por di qe jam ne faj une qe nuk di te them RESPEKTE PLAKO dhe te zhdukem nga syte kembet qe te kaloje AI. Po po fiks AI-AI (per ata qe kane pare filmin italian LORO), se as nuk e njoh kush eshte AI-AI ne shqiperi, dreqi e mori. Kjo ose te gjithe jane/duan te jene AI-AI.
Urbanistika tiranase?! E studiova nje here me nje dron qe ngrita kot... per sport, e meqe nuk ka ligje per dronet, e thashe nuk po shkel ligjin. Pashe sa kreative eshte si urbanistike nga siper (jo se horizontalisht nuk mund ta zhbirosh dot), per te shfrytezuar teritorin e publiken deri ne centimeter, e per te pare perpjekjet e nenave me karroca kalamajsh tek cajne kete mish-mash e labirinth te mire menduar nga breza arkitektesh te diplomuar ne demokraci. Po dhe per ta nuk besoj se kane vuajtur shume se duket sikur eshte e dirigjuar nga nje dore dhe me lart, ku e di une bashki, qeveri, grupime politike. Sepse nuk mendoj qe aguridhet arkitekte kane menduar se sa i thelle ka pas qene thesi i pareve ndertimtare e jane kenaqur me shukun e pare qe kane mare , kuptohet per punen perfekte qe kane bere.
Llogjika e tokes se xanun prevalon ne pakingun e rruges. Nje here kishin lene dhe nje karroce femijesh (shyqyr zotit pa kalaman brenda) e qe sigurisht do me bente te ndihesha ne faj, ti merja parkingun nje kalamani.
Eh isha ne gusht ne Shqiperi, kishe qejf te dilje mes vapes, por ja vinte darka dhe te duhej te luftoje me makinat e njerezit tek ecje me kembe. Te duket vetja dhe homofob pastaj tek urren njerezit dhe nuk do te i shohesh ne rruge, qe veshur ose jo me makina ne vend te kepuceve shkojne per te blere buke e pire nje kafe ne shoqeri. Mgjse dhe kjo ka ndryshuar vitet e fundit se bejne hesapin e parkingut qe do humbasin ne rruge. Oh po prit se aty mund te vendosin nje mobilje te vjeter qe eshte hedhur ne kazan e do kryeje funksionin e saj te fundit ne kete bote.
Lajmi eshte vetem NJE dhe o kalon se pari nga ata qe do ja percjellin ne ekran e leter dixhitale popullit, o ... po s'kalovi do e bejne ata duke i vene kembe e duar. Dhe ty te duket qe nuk i perket asaj e kesaj bote sepse nuk sheh FARE FARE, lajmet apo televisionet pa fund. Sheh njerez te frustuar qe te tregojne eksperiencat e tyre ne TikTok mbi episodet e tmerrshme te sigurimeve shendetesore (dhe jane shume, po shume shume) dhe tek i krahason me lajmet tek CNN dhe WSJ NYT e WaPo per nje CEO milioner te dedikuar (ndaj klienteve por dhe bordit te drejtuesve) qe nuk e kuptoi populli dhe e vrane si qen, mu ne mes te mexhelisit, e kupton qe jane krejt te kundert si lajme. Konfuzohesh e mundohesh te kuptosh midis empatikes e patetikes. Ne fund ben bilancin dhe e kupton nga numrat se ne cdrejtim po fryn era. Kur ndodh kjo me "gjigandet" e informimit, e kupton qe ne vende si Shqiperia, sapuni dhe djathi kane te njejtin cmim e vlere, dhe shanset jane qe te dyja te jene fallco.
Tek jeton aty e sheh se e gjithe jeta vertitet reth asaj qe mbizoteron 100% ne Shqiperi : si tja futesh tjetrit, KUDO dhe ne cdo GJE! dhe kjo E FUTURA qe gjeneron kapitale, kalon si patate e nxehte nga nje individ tek tjetri, nga nje institucion tek tjetri, nga nje biznes ne tjetri, nga nje qeveritar tek tjetri, per tja lene tjetrit ne dere pa kuptuar se nje dite do vije te trokase dhe ne deren tende. Per ata qe dine pak matematike kjo dukuri eshte BIJECTIVE (dhe perfshin kardinalitetin e gjithe shoqerise shqiptare). E thene ndryshe per fenomenin e te FUTURES, cdo kush ndaj cdokujt dhe ndaj cdo gjeje. Dhe psh KORRUPSIONI e ve ne levizje kete shoqeri, tek ja jep leket ndermjetesit per te bere dokumenta shpejt, i cili i shpie tek nepunesi qe te mbaron pune, por qe atij i duhen per gocen qe do futet ne universitet, e profesori qe sa i mer i con tek mjeku per mamane e semure, e doktori me pas per cunin e tij qe duhet te mare nje denim te lehte per ate qe ka bere nga gjykatesi, i cili ja paguan nje ndertuesi per nje nga shtepite ku do te fute koken dhe ai, e ndertuesi qe duhet me doemos te kollitet diku se do ta ndertojme te bukur Tiranen sociale, e me pas Lali tek shkon tek Shefi (dhe aty diskutimet nuk jane me bajate per shuma lekesh se ato nenkuptohen), dhe Shefi i mban nje fjalim se punet nuk jane mire e duhet tja vere koken ne gijotine se ja njerezit jane te pakenaqur. E tek i jep dhe nje shans tjeter te fundit deri ne fitoren e radhes Shefi del duke ulerire kunder korupsionit atij fenomeni per te cilin nuk ka me tolerance, dhe ti e sheh ne TV (nga e keqja se e thame ta sjellin barkun ne goja te gjitha TV) bashke me dorezanin ... ai i fillimit te zinxhirit ku dhe ti je bere pjese e kesaj fijeje te shoqerise te kalbur shqiptare dhe e pyet - vertet do mbyllen te gjitha rruget? si do bejme per kete dokumentin tjeter qe me duhet shpejt? dhe dorezani te sheh si per gjynah e te thote : eh ate pune ka ai, sill leket se me lek zgjidhet cdo gje, ja do paguash ca me shume po c'fare i ke ti leket .... zemra e mire pa leket vene e vijne.
Eh ja aty dolem tek zemra, tek shoke (jo miq se mik te kane te gjithe po pate pare, dhe nuk ju prish pune ne bizneset legale ose ilegale qe kane) te thone fiks: Cfare ben? Mire? Punet si vene? he se flasim .... e kjo perkthehet : kjo ka vetem nje perkthim = kalbezim nga brenda! se nga jashte suvaja shkelqen si makina e re qe sapo kane blere.
Gjyqe pronesie ku te gjitha palet kontestuese me letra e kane fituar gjyqin, edhe ai qe e ka vjedhur se fundmi, edhe ai qe e ka vjedhur me pare ne kohe dhe kjo kohe shtrihet deri ne Perandorine Otomane ku dhe stergjysherit, ata te cileve ja u kemi vetem degjuar emrat, nuk kishin lindur.
Nje here qe vajta ne hipoteke per nje dokument, mu duk sikur patronazhisja ime ishte ajo qe me sherbeu. Fale iranianeve e kam gjurmuar dixhitalisht patronazhisten time dhe ka konkluduar nje punojese e atij institucioni. Doli fiks profecia qe me bene : do jete ndonje sorre (flokezeze) 1.50m e gjate dhe do punoje ne ndonje institucion shteteror.
Vizita tek doktori i njerezve te tu te dashur ne pension tashme kushton fiks sa pensioni mujor i tyre. E kupton qe jane vjedhur dy here 1. tek ja u shqyen e vodhen publiken (ku ata lane gjithshka, nga rinia e deri tek gjaku) skifteret e demokracise dhe e moren per qyl gjithshka 2. tek tallen me 200 mije lek ne muaj pension ne nje kohe qe cmimet kane shkuar ne hene dhe i kane rene rotull edhe 1000 here henes. Dhe skifteret jane pikerisht ata qe tallen, pergjate gjithe viteve te "demokracise".
E sa per gjuhen shqipe e kuptoj qe flas nje version jashte standarteve e jo modern sepse sharjet e profanitetet japin ngjyra qe vetem te konfirmojne qe akoma une e shoh boten bardh e zi, e nuk ja kam idene e 50 hijeve gjuhesore gri te demokracise.
Kam kujtime si femije kur mblidheshe pa ndonje sebep gjithe familja ime e madhe e kendonin kenge qe sot nuk i degjoj me askund. E sot kjo eshte ajo qe me dhemb me shume se cdo gje, pavaresiht se duket sikur gjerat ne siperfaqe jane mire.
Kerkoj falje qe e zgjata (mgjse kam akoma shume terkuze) dhe qe cdo ngjashmeri me ato qe kishe shkruar eshte thjesht aksidentale dhe nuk ka te beje qe mund te jemi shkembyer ndonje here rruges prape aksidentalisht, megjithese pak kohe e shoh Tiranen gjate nje viti.
E hidhur
E hidhur por e vertete. Puna eshte qe organizmi parazitar qe ushqehet tek kjo gjallese eshte me i madh se gjallesa tashme.
Add new comment