Von del Leyen: BE do rrisë dëbimin e emigrantëve
BE-ja duhet të nxjerrë mësime nga marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e bëri këtë deklaratë ndërsa liderët e 27 vendeve anëtare mbajnë një samit të BE-së me fokus migracionin.
Von der Leyen paralajmëroi se ekzekutivi i BE-së do të paraqesë një propozim të ri për legjislacionin për të rritur dëbimet e emigrantëve.
Përpunimi i kërkesave të emigrantëve në vende të treta po shihet si mundësi edhe nga disa vende të BE-së.
Qeveria holandeze pak ditë më parë njoftoi se po shqyrtonte një plan për të dërguar azilkërkuesit e refuzuar në Ugandë.
Në një letër drejtuar vendeve anëtare, Von der Leyen tha se shkalla e kthimit të emigrantëve të parregullt nga vendet e BE-së është aktualisht vetëm rreth 20% - që do të thotë se shumica dërrmuese e njerëzve që u është refuzuar qëndrimi, në fakt nuk janë larguar.
Shtetet anëtare duhet të njohin të gjitha vendimet e marra nga vendet e tjera të BE-së për të siguruar që "migrantët që kanë një vendim kthimi kundër tyre në një vend nuk mund të shfrytëzojnë çarjet në sistem për të shmangur kthimin diku tjetër", citohet letra e Von der Leyen nga Politico.
Pak javë më parë, Gjermania rivendosi kontrollet e kufirit tokësor, qeveria franceze tha se do të shqyrtojë shtrëngimin e legjislacionit të imigracionit dhe Polonia njoftoi një plan për të pezulluar përkohësisht të drejtën e azilit për njerëzit që kalojnë kufirin.
Në Francë dhe Gjermani, ishin vrasjet e frikshme ato që nxitën thirrje për veprime më të ashpra ndaj emigracionit. Një azilkërkues sirian i dështuar goditi me thikë tre persona në Solingen, ndërsa një student u vra nga një shtetas maroken afër Parisit. Në të dyja rastet, vrasjet u kryen nga emigrantë të cilëve u ishin dhënë urdhra dëbimi që nuk ishin zbatuar.
Muajin e kaluar, 15 vende anëtare nënshkruan një propozim nga Austria dhe Holanda për të përmirësuar "efikasitetin" e sistemit të dëbimeve.
Add new comment