Gjergji Pula në kërkim të një medaljeje personale në emër të Shqipërisë

Postuar në 29 Shtator, 2024 19:07
Skerdilajd Zaimi

 

Pjesëmarrja e kryeministrit të Shqipërisë në OKB është përcjellë në mediat pranë tij me disa albume fotografish. Ndërkohë, në ditët e Asamblesë z. Rama mbajti dy fjalime: njërin të përgjithshëm, tjetrin për teknologjinë digjitale. Ai përmendi Kosovën në disa rreshta sa për të larë gojën përkundrejt një opinioni të brendshëm që nuk ushtron më asnjë lloj presioni të logjikshëm. Ajo që të bie në sy me “teknikën e propagandës me fotot” është priroritizimi i takimeve me njerëz të rëndësishëm, si për të treguar rëndësinë e vetë z. Rama. I cili fotoalbumet i shpërndan me titullin: Krenar për Shqipërinë!

Çfarë është Shqipëria në arenën ndërkombëtare që do ta bënte dikë krenar? Çfarë është sot Shqipëria diçka më shumë sesa një intendent i SHBA? Dhe vetë Kryeministri i saj, a përfaqëson ndonjë gjë me vlerë reale, veçse si zëdhënës i disa politikave amerikane në një tribunë që sa vjen e humbet rëndësinë e saj?

Shqipëria është vend i vogël dhe nuk ka se çfarë të bëjë. Do thonë disa. Po e vërtetë. Shqipëria është vend i vogël, por dinjiteti i një vendi të vogël, apo edhe dinjiteti formal nuk vjen nga shërbimi i verbër ndaj një të madhi. Prej kësaj politike vjen një rëndësi e rreme e momentit dhe asgjë më shumë. Më tej, të qenit i vogël, do ta detyronte dikë që të MENDONTE më shumë. Por në rastin tonë ndodh e kundërta. Ne e shohim historinë ku përfshihemi vetëm në aspekt pragmatik dhe praktik duke harruar se kohët ikin, momentet ndryshojnë dhe ne mbetemi në derën e saj si Gjergj Pula i Kadaresë që bëhet Jurgen, Jorgo, Xhorxhio...E kështu me radhë.

Çfarë kuptimi ka veç arrogancës shpërndarja për shqiptarët vetëm e fotove nga takimet e bëra në emër të tyre dhe të Shqipërisë dhe asnjëherë edhe e përmbajtjes së asaj që është thënë? Zoti Rama ka qenë aty për të thënë diçka, ka folur për diçka, ka marrë disa zotime, jo për të pozuar. Pse ne nuk kemi asnjëherë të drejtë të dimë se çfarë thuhet dhe se si na përfaqëson ky njeri?

Është arrogante dhe poshtëruese teksa sheh sesi një kryeministër vendos ta përdorë Shqpërinë si një ekran Instagrami dhe pjesën tjetër, atë të rëndësishme ta flasë me ata që mendon se e kuptojnë. Asnjë drejtues nuk e ka bërë këtë, as në Shqipëri, as gjetkë. Është kjo arsyeja se pse z. Rama u detyrua p.sh të ndajë fjalët e tij për Kosovën dhe të bëjë një postim më vete, nisur nga kritikat që iu bënë se ai nuk e përmendi Kosovën. Sikundër ne në Shqipëri e morëm vesh nga gazetat amerikane se ai dhe Baba Mondi kanë menduar të bëjnë një shtet.

Në takimin e zhvilluar me një organizatë hebenjsh në SHBA, z. Rama duket se ka marrë një vlerësim të posaçëm për luftën kundër antisemitizmit. Edhe pse ne nuk e dimë se çfarë ka bërë ky njeri në këtë drejtim, pasi vetë është një politikan që ka ndikuar në përçarjen e madhe të popullit të vet. Edhe në këtë rast, pra edhe kur merr vlerësim, z. Rama, nuk ka preferuar të japë ndonjë gjë nga diskutimi i mbajtur. Dhe në fakt ky zotëri, ka folur aty në emër të Shqipërisë dhe shqiptarëve me fjalë që janë disi provokative.

Askush që vlerëson demokracinë dhe lirinë nuk duhet të harrojë se Hamasi përfaqëson më të keqen e fytyrave antidemokratike të kësaj bote. Ndaj ata që e quajnë Gazan një burg të hapur, duhet të dinë se roja e burgut është Hamasi jo Izraeli

ka thënë z. Rama.

Si lidhet interesi i Shqipërisë në këto fjalë? Si lidhet dhe përfaqësohet E VËRTETA aty? Ky është variant izraelit i ngjarjeve, të cilën z. Rama e ka bërë të vetin sepse edhe aktiviteti ka qenë i dedikuar për të. Gënjeshtrave helmuese si këto u mbivendoset gënjeshtra e thënë nga organizatorët. Me këtë rast, Robert Singer, kryetar i Center for Jewish Impact dhe anëtar bordi i Combat Antisemitism, ka thënë ndër të tjera se:

Z. Kryeministër, përpjekjet tuaja për mbrojtjen e komuniteti hebre, për të qëndruar kundër antisemitizmit dhe për të promovuar unitetin në Ballkan, janë jo vetëm të lavdërueshme, por janë transformuese

Uniteti në Ballkan për të cilin flet ky zotëri, që mesa duket është ndër sponsorët e një lloj karriere ndërkombëtare të z. Rama, është diçka që nuk ekziston edhe me metrat e SHBA ku ai jeton.

Sot Shqipëria është më e ndarë se kurrë edhe me Kosovën, ka probleme me Greqinë dhe ulje komunikimi me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Nëse hebreu Singer mendon se ka të vërtetën e madhe të unitetit te miqësia Rama-Vuçiç, atëherë ai po bën një faj, sepse në të vërtetë duhet ta dijë sesi qëndron puna. 

Një kuriozitet jo edhe aq trivial, të cilin z. Rama nuk e ndau me shqiptarët të cilët i do aq shumë. Anëtare e Bordit të CAM, është edhe Valentina Leskaj, manekini i vjetër politik i PS-së që ka gjetur një vrimë për të vijuar karrierën mondane për të cilën kaq shumë vdesin të majtët e provincës.

Një mik të popullit hebre

e quajti Leskaj z. Rama që mandej mori edhe një çmim me këtë rast.

Ne nuk dimë asgjë zyrtare mbi këto lodra të rrezikshme që bëhen në emrin tonë dhe të Shqipërisë. Sepse Shqipëria nuk i përket shqiptarëve dhe një pjesë e madhe e jona nuk kanë as formimin minimal politik. Zotëria e cilëson Gazën një burg që duhet çliruar nga Izraeli, ndërkohë që ajo të cilën zonja Leskaj, një individ pa identitet politik, e quan “valë në rritje e antisemitizmit” është në fakt një valë indinjate ndaj krimeve të pandalshme të Izraelit që nga viktimë e një krimi të tmerrshëm, u shndërrua në një kasap profesionist fëmijësh dhe grash.

Urrejtja globale ndaj Izraelit është reaksion ndaj veprimeve të tij dhe martesa me antisemitizmin është asgjë më shumë sesa një ideologji penitenciare në rend ndërkombëtar që vazhdon prej dekadash. Urrejtja po mbërrin edhe në vende ku më parë nuk ka qenë, por tema e antisemitizmit po mbulon si agresion një politikë që tanimë është zbuluar se është në qenien e një shteti të tërë.

Padyshim që z. Rama nuk është naiv. Edhe disa gjëra i di. Nuk ka frikacak në këtë botë që të jetë naiv. Z. Rama nuk është as dogmatik, as masonik e as çdo -ik tjetër që i ngjisin. Z. Rama është asgjë më shumë sesa një delirant që po troket në dyert e Historisë, e cila ka harruar ta marrë. Dhe njësoj si dikur me PS-në, kur nuk hyri dot nga dera, kërceu nga Dritarja, kuptohet me torbën gati për të mbyllur ca gojë, edhe tani po luan për një medalje personale. Asgjë më shumë.

Është kaq vanitoze kjo lojë saqë kur tullumbacja të çahet asgjë nuk do të mbesë. Gjergj Pula atëherë do të mbetet ai që është: Edi Rama, ish-kryeministër, apo edhe president nëse duam i një vendi të dështuar, të rrënuar dhe të dërrmuar psikologjikisht. Patjetër me shkëlqim maksimal në garderobë dhe duke dhënë mend, për të cilat siç edhe e di mirë vetë ai, Askush nuk ka nevojë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.