WSJ: Gjendja mendore e Biden po përkeqësohet
Njerëz pranë presidentit amerikan flasin për përkeqësimin e gjendjes mendore të tij. Wall Street Journal, duke iu referuar burimeve pranë Joe Biden, shkruan se kreu i Shtëpisë së Bardhë tregon herë pas here "shenja rrëshqitjeje". Gazeta amerikane ka intervistuar 45 persona që kanë punuar në rrethin e Biden gjatë shtatë muajve të fundit. Ata thonë se sjella e presidentit reflekton energji në momente të caktuara dhe periudha të tjera kur është e vështirë ta kuptosh dhe orienton veten përmes shënimeve që i mban në letra ngjitëse.
Shumica e atyre që flasin për përkeqësimin e gjendjes mendore të presidentit janë republikanë, megjithatë, "disa demokratë thanë se ai reflekton probleme tipike të plakjes në disa nga ndërveprimet me të tjerët."
Të pyeturit i referohen në një rast një takimi me udhëheqësit e Kongresit në Shtëpinë e Bardhë në janar, kur po negociohej për një marrëveshje për ndihmën ndaj Ukrainës.
“Ai foli me aq zë të ulët sa disa pjesëmarrës mezi e dëgjuan", citohen pesë persona që kanë qenë në takim. Sipas tyre, Biden lexonte shënime, ku disa pika ishin më të dukshme dhe bënte pauza me sy mbyllur, aq të gjata saqë të tjerët dyshonin se mund ta kishte zënë gjumi.
Ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Kevin McCarthy tha se vitin e kaluar, gjatë bisedimeve për heqjen e tavanit të borxhit, sjellja e Biden "dukej se po ndryshonte nga një ditë në tjetrën". Dy burime të tjera që kanë punuar me Biden kur ai ishte zëvendëspresident e përshkruajnë atë si një njeri "që duket më i ngadalshëm tani" dhe "ka momente të mira dhe të këqija".
Shtëpia e Bardhë i ka cilësuar këto komente të motivuara politikisht. “Republikanët e Kongresit, liderët e huaj dhe ekspertët jopartiakë të sigurisë kombëtare e kanë bërë të qartë me fjalët e tyre se Presidenti Biden është një udhëheqës i zgjuar dhe efektiv që ka një histori të thellë të arritjeve legjislative”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates.
Spekulimet për mprehtësinë mendore të politikanëve amerikanë kanë dalë në plan të parë kohët e fundit pasi Biden dhe paraardhësi i tij Donald Trump u bënë dy kandidatët më të vjetër presidencialë ndonjëherë në vitin 2020. Në nëntor, ata do të thyejnë këtë rekord. Trump i ka kërkuar vazhdimisht Bidenit që t'i nënshtrohen një testi konjitiv së bashku. Por edhe vetë Trump shpesh ka ngatërruar fakte dhe njerëz në fjalimet e tij.
Lidhur me shkrimin e WSJ vlen të kujtohet se edhe pse nuk po mbështet haptazi asnjërën nga partitë politike, ajo ka prirje republikane pasi është në pronësi të konservatorit të shquar Rupert Murdoch.
Add new comment