Assange fiton të drejtën për të apeluar ekstradimin në SHBA
Julian Assange mund të apelojë ekstradimin e tij në SHBA, ku akuzohet se ka zbuluar sekrete ushtarake.
Assange po përpiqet t’i shpëtojë ndjekjes penale në SHBA për akuzat për spiunazh në lidhje me publikimin e mijëra dokumenteve të klasifikuara dhe diplomatike. Për këtë, ai i është drejtuar Gjykatës së Lartë në Londër.
Kjo e fundit i dha të drejtën të apelojë ekstradimin, një vendim që u pa si fitore e ekipit të tij të mbrojtësve ligjorë dhe dhjetëra mbështetës të tij u mblodhën jashtë gjykatës në kryeqytetin britanik.
Avokatët e Assange kërkuan që gjyqtarët Victoria Sharp dhe Jeremy Johnson, nuk duhet të pranojnë garancitë e dhëna nga prokurorët amerikanë se ai mund të kërkojë të mbështetet në të drejtat që garanton amendamenti i parë i Kushtetutës amerikane. Po ashtu, mbrojtësit ligjorë të Assange ia kanë frikën diskriminimit të tij në bazë të kombësisë së tij, si shtetas i huaj i lindur në Australi.
Gjykata i cilësoi garancitë e dhëna nga pala amerikane të pamjaftueshme, duke i dhënë Assange lejen për të apeluar në lidhje me pikat mbi lirinë e fjalës dhe kombësinë.
52-vjeçari kërkohet nga autoritetet amerikane për akuza spiunazhi lidhur me publikimin e mijëra dokumenteve të klasifikuara dhe kabllogrameve diplomatike nga organizata e tij në 2010 dhe 2011. Nëse dënohet, ai rrezikon burgim të përjetshëm.
Në mars, gjykata e Londrës e shtyu vendimin për ekstradimin e tij, pasi u kërkuan disa garanci që lidhen me mbrojtjen sipas Amendamentit të Parë (liria e fjalës) dhe dënimin me vdekje.
Por avokatët që përfaqësojnë qeverinë amerikane dhanë garanci se Assange nuk do të dënohet me vdekje në rast ekstradimi.
Add new comment