Fytyrat e Shpresës

Postuar në 11 Prill, 2024 14:20

Ku është transferuar shpresa jonë sot që flasim? Shpresa për ndryshim, për përmirësim dhe korrigjim. Do të ishte ideale që shpresa jonë të instalohej brenda nesh, duke nisur nga e vërteta që i themi vetes, për veten, familjen, komunitetin dhe shoqërinë e historinë. Se që këtej do të niste rruga për një Arsye dhe Besim të ri për të kontestuar politikën e tanishme, e cila ushqehet me injorancën tonë për të foritifikuar injorancën e vet.

Nuk është ky rasti fatlum. Ne si shoqëri, në një masë të madhe jemi të dashuruar me të pavërtetën, me historitë që na pëlqejnë dhe e kemi vënë veten në kurthin e përjetshëm të bipartizanizmit. Që na e zvogëlon horizontin tonë dhe na e redukton të ardhmen në katër pesë emra të mykurish dhe të diskredituarish. Për këta bëhet sot e gjithë biseda e shqiptarëve. Për Edi Ramën, Sali Berishën, Ilir Metën, Erion Veliajn dhe Lulzim Bashën.

Ka mjerim më të madh për një shoqëri në Europë, që ka 30 vjet që emigron dhe lëviz në të gjithë vendet e kontinentit të shohë nga e ardhmja me këta veremë? Ka mjerim më të madh kur njerëz me formim solid dhe karrierë të realizuar të dalin e ulërasin poshtë dritares së Sali Berishës, apo foltoreve të Edi Ramës, për të bindur njerëzinë se ata janë e ardhmja? E vetmja rrugë për Shqipërinë?

E gjitha kjo kur skandalet nuk pushojnë, e sërish nuk arrijnë të skandalizojnë më kënd. Nuk detonojnë asgjë në mendjen dhe shpirtin e njerëzve, pikërisht sepse shqiptarët nuk besojnë më te Shqipëria. Nuk besojnë realisht jo se ky vend nuk bëhet, por as se ia vlen të mendosh se mund të bëhet. Ne dëshmojmë dhe përjetojmë një fazë kritike të shoqërisë, gjatë së cilës Nocioni i Atdheut, vendit tënd, është transformuar në Vendin ku Jetoj. Jetojmë një kohë kur Shqipëria është vetëm hotel për shqiptarët që në fund të ditës duhet të paguajnë qëndrimin ose të lëshojnë dhomën, duke ikur. Ose të flejë në rrugë.

Si mundet që të shpresohet se diçka po lëviz kur vërdallë janë këto fytyra, e pas tyre 4-5 biznesmenë që po zhvasin çdo gjë me ligj e demokraci? Efekti zinxhir i kësaj krize përfaqësimi që e ka shndërruar demokracinë në një tryezë patronësh është tharja e çdo qelize aktive në shoqëri, zhbërja e arsimit të vërtetë dhe investimi i çdo energjie në show dhe shërbime, edhe këto koncesione të të njëjtës elitë feudale që asfikson edhe atë pak erë lirie që fryu në vitet ’90.

Kush flet për diktaturë është ose naiv, ose në keqbesim me njerëzit. Nuk paskësh patur mënyrë më të lehtë për të sunduar sesa zvëndësimi i kokës me stomakun. Stomaku dhe zorra janë bërë truri dhe zemra jonë. Që andej rrjedh edhe etika e kësaj tolerance kriminale ndaj të keqes që po peshon ngado. Janë siguria e këtyre të dyjave që ka triumfuar si i vetmi ligjërim real politik në këtë vend të harruar nga çdo bindje dhe çdo besim te koncepte tashmë kaq të largëta si liria, demokracia, të drejtat. Nuk ka pse të çuditemi pra nëse dikur, në vazhdën mbytëse të kësaj kënete, të lindë e rilindë nostalgjia për Krimin e drejtpërdrejtë dhe diktaturën reale: nuk ka alibi më të vërtetë për këto sesa degradimi dhe relativizimi i çdo norme.

s.zaimi

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.