Trump, kandidati i vetëm i republikanëve. Pritet tërheqja e Nikki Haley
Ish-ambasadorja e OKB-së, Nikki Haley, pritet të tërhiqet nga gara për të përfaqësuar republikanët në zgjedhjet presidenciale. Humbja në ato që njihen në SHBA si zgjedhjet e Super të Martës është arsyeja që e shtyn Haley drejt tërheqjes, duke e lënë ish-Presidentin Donald Trump kandidatin e fundit të madh në mesin e republikanëve. Kjo i hap atij rrugën për të qenë i nominuari i republikanëve për përballjen me demokratin Joe Biden në garën për Shtëpinë e Bardhë.
Mediat amerikane raportojnë se Haley do ta njoftojë vendimin e saj në një konferencë shtypi në Charlestonm Karolina e Jugut, aty ku nisi edhe fushata e saj një vit më parë.
"Ne nuk do ta fitojmë shekullin e XXI nëse vazhdojmë t'u besojmë politikanëve të shekullit XX", pati deklaruar Haley në hapje të fushatës së saj, të cilën e nisi me bindjen se vendi kishte nevojë për një "udhëheqës të ri brezash".
Haley vjen nga një përvojë e gjatë politike, e cila përfshin dy mandate si guvernator i Karolinës së Jugut dhe ambasadore e SHBA në Kombet e Bashkuara.
Strategjia fillestare e fushatës së saj brenda partisë bazohej te shmangia e sulmeve ndaj Trump. Ajo u bë pretendetja kryesore pasi mundi rivalët Ron DeSantis, guvernator i Floridës dhe Chris Christie, kritiku më i ashpër i Trump, guvernator i Nju-Xhersit.
Add new comment