Stalini krah një shenjtoreje, debati i ri në Gjeorgji
Një ikonë ku shfaqet Stalini ka hapur një debat të ri në Gjeorgji. Ikona e paraqet ish-liderin komunist ndërsa bekohet nga Shën Matrona e Moskës, një vizionare dhe shëruese ruse e shekullit XX.
Por Kisha Ortodokse Gjeorgjiane ka rezerva për vërtetësinë e asaj që paraqet ikona e vendosur në një katedrale të Tbilisit.
Patriarkana e Gjeorgjisë thotë se nuk ka shumë prova që mbështesin faktin se Stalini dhe shenjtroja janë takuar ndonjëherë dhe për këtë arsye u ka kërkuar dhuruesve të bëjnë ndryshime në të.
Dhuruesi është Aleanca e Patriotëve, një parti politike pro-ruse. Ikona është vënë në katedrale disa muaj më parë, por ishte një deklaratë e një ish-politikani të opozitës gjeorgjiane që zhvendosi vëmendjen mbi të. Giorgi Kandelaki deklaroi se vepra ishte një përpjekje për ta vendosur "një nga vrasësit më të mëdhenj masive në histori" në një "dritë pozitive".
Që atëherë, kanë qenë disa protestat kundër ikonës.
Në deklaratën e saj, Patriarkana e Gjeorgjisë tha se një ikonë mund të paraqesë "histori reale që lidhen me jetën e shenjtorit, mes të cilëve dhe sundimtarët dhe njerëzit e zakonshëm, heretikët dhe persekutuesit e besimit të krishterë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë aspak se ajo i glorifikon këto figura apo u atribuon atyre dinjitet."
Stalini ka një trashëgimi komplekse në Gjeorgji.
Ai lindi si Iosif Dzhugashvili në qytetin e Gorit, në lindje të vendit, në 1878. Një figurë kyçe në revolucionin rus që solli bolshevikët në pushtet, ai e sundoi Bashkimin Sovjetik nga 1924 deri në 1953, kur vdiq.
Gjatë regjimit të tij vdiqën miliona njerëz. Stalini imponoi disiplinë të hekurt dhe terror shtetëror për të çrrënjosur "armiqtë e popullit" dhe për të ndërtuar shtetin komunist. Shumë njerëz në vendin e vogël të Kaukazit Jugor e refuzojnë trashëgiminë e Bashkimit Sovjetik. Por disa ende e shohin Stalinin me njëfarë krenarie, sepse ai doli nga një sfond modest në Gjeorgji për të sunduar një superfuqi dhe për të mposhtur Gjermaninë naziste.
Add new comment