Lojë e pistë europiane në Ukrainë me reformën në drejtësi!

Postuar në 04 Maj, 2023 15:27

Bashkimi Europian po mbyll sytë dhe arrin kompromise me Kievin zyrtar në kurriz të demokracisë vendase dhe konsolidimit të institucioneve të pavarura gjyqësore. Shqetësimi ngrihet në një shkrim publikuar nga “Politico” nën autorësinë e anëtarëve drejtues të fondacionit “DEJURE”, Mykhailo Zhernakov dhe Stepan Berko si dhe Halyna Chyzhyk, eksperte e reformës në gjyqësor në Qendrën për Veprimin Antikorrupsion. Shkrimi hapet me një fjali kumbuese të një të “vërtete universale”.

Gjykatat janë mes institucioneve më pak të besueshme në vend dhe disa përpjekje për të reformuar gjyqësorin kanë dështuar

Që këtej është e qartë se për çfarë bëhet fjalë. Megjithatë autorët vënë në dukje se ka një përjashtim: Gjykata e Lartë Antikorrupsion. Reforma mori hov në vitin 2022 me marrjen e statusit të vendit kandidat, mirëpo siç mund të dihet fare mirë në Shqipëri, reformat ë tilla ecin përherë në llucë. Në Ukrainë autorët vlerësojnë se ka patur Këshillin e Lartë të Drejtësië dhe Trupën e Lartë të Vlerësimit të Gjyqtarëve, që janë në proces krijimi nën monitorimin e ekspertëve ndërkombëtarë, por problemet kanë dalë me Gjykatën Kushtetuese, e cila:

luan një rol kyç në ruajtjen e sistemit demokratik të qeverisjes

Sipas autorëve kjo gjykatë pritet të përcaktojë ecurinë demokratike të Ukrainës qysh me faktin se është ajo që do të caktojë datën e zgjedhjeve, presidenciale dhe parlamentare, kur të shfuqizohet ligji ushtarak. 

Zyrtarët e lartë në zyrën e presidentit Zelenskiy deklarojnë hapur se ata do të preferonin që zgjedhjet të zhvillohen në të njëjtën kohë, edhe pse Kushtetuta specifikon ndryshe. Dhe nëse gjykata e ndihmoi të sapozgjedhurin Zelenskiy për caktimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vitin 2019, të cilat i fitoi bindshëm – ne do të shohim nëse ajo do të bëjë sërish një gjë të tillë në varësi të përbërjes dhe sesi gjyqtarët do të zgjidhen

vënë në dukje autorët.  

Gjykata pra ka në dorë në masë të madhe të përcaktojë pushtetin në Ukrainë dhe kjo është shumë e rëndësishme në fazën aktuale të vendit. Në vështrim vjen procedura e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës që do të vetohen nga Grupi Këshillimor i Ekspertëve që përbehet nga tre ekspertë ndërkombëtarë dhe tre të caktuar politikë nga Ukraina. Problemi në fjalë u vu në dukje nga Komisioni i Venecias, Këshilli i Europës, të cilëve iu kërkua mendim. Modeli 3+3 gjykohet se çon në polarizim të mëtejshëm të gjykatës çka çoi në një thirrje nga KE-ja për amendim ligjor. Por vetëm kaq. Duket se për shkak të “situatës speciale” BE-ja po lë të kalojë një situatë e cila ka pasoja afatgjata dhe priret të konsolidojë një pushtet të pakonfirmuar në rrugë demokratike. 

Duke patur parasysh këtë, autorët në fjalë shkruajnë se qëndrimet e Europës, tolerante dhe neglizhente përcjellin mesazhin se institucionet europiane mund të manipulohen. Dhe ka të dhëna të sonduara për këtë: 73% e ukrainasve mbështesin reformat pa të cilat anëtarësimi në BE nuk mund të ndodhë. Ndërkohë që 60% mbështesin nevojën e presionit europian në luftën ndaj korrupsionit në Ukrainë dhe këtë siç theksojnë tre juristët:

BE-ja duhet ta dëgojë!

Mesazhi në fjalë i strukturuar në formë të thjeshtë kritike ndaj BE-së vë në dukje realitetin e një Ukraine jodemokratike, e cila aktualisht gëzon imunitetin strategjik të një vendi në luftë kundër Rusisë. Është një mesazh që rezonon shumë fort me atë që shoh të ndodhë në Shqipëri me një reformë në drejtësi e cila jo vetëm ka sjellë psoja serioze në integritetin e Drejtësisë që në të vërtetë NUK po jepet, por edhe në besimin te serioziteti dhe aftësia e Perëndimit për të kryer një operacion të tillë në një vend që ndonëse ka specifika të vetat, ka dekada që eksperimenton me legjislacion të imortuar. Pa folur mandej për një mbrojtje të hapur dhe selektive të aktorëve të caktuar të korruptuar.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Krejt pa lidhje.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.