Secili Shqipërinë e vet
Kryeministri Edi Rama ka dalë sot në një konferencë për media dhe komunikim në rrjetet sociale prezantuar nën titullin: Kaq shumë gjëra për të folur. Z. Rama përfaqëson sot një qeveri dhe është një kryeministër që dihet se çfarë do të bëjë, se çfarë do të thotë, sesi vepron, për kë punon. Ndaj nëse në një rast tjetër do të ishte e udhës që të mbahen shënim e të dëgjohen me vëmendje, të krahasohen me ato që janë thënë për të krijuar madje pyetje dhe gjetur inkoherencën.
Në rastin tonë ne kemi përballë një person që mbron atë që do, jo atë që duhet, që flet për një Shqipëri që është në mendjen e tij dhe riprodhon një betejë imagjinare me të keqen, që përfaqësohet nga media, portalet e kështu me radhë.
Qeveria e z. Rama e ka mposhtur krimin, e ka kontrolluar korrupsionin, ajo ka krijuar një kulturë të shërbimit të barabartë dhe tani mbetet të shpallë luftën verbale me median dhe drejtësinë.
Sepse sot kryeministri na tha se çështjen e inceneratorëve e kanë denoncuar Tatimet, një agjenci qeveritare, kurse kullat pa leje, i ka falur Drejtësia, prokurorët që sipas tij bëjnë tregti me dosjet.
A mund të besohet vallë një kryeministër që flet në këtë mënyrë? A mund të besohet një kryeministër që nga një anë ankohet se nuk ka drejtësi dhe nga ana tjetër për çështje të tjera deklaron se ato “i takojnë drejtësisë”?
Megjithatë çështja e besimit apo mosbesimit është e brendashkruar një marrëdhënieje me pushtetin në këtë sistem dhe kjo nuk përbën problem. Ajo që veçohet këtu është fortifikimi i z. Rama në pozicionin e vet duke e bërë të ditur se mënyra si ka qeverisur deri më tani do të vazhdojë dhe se atë nuk ka asgjë ta korrigjojë. As përmirësojë.
Ai thotë se është krenar për atë që ka bërë, se Tirana është më e pastër se qytetet europiane, se agroturizmi kështu e ashtu…Por pse ne nuk i shohim dot këto? Pse vallë nuk e kapim do të progresin dhe të mirën që na ka zënë sytë? Sigurisht që këta Ne, jemi pakicë, jemi xhagajdurë, jemi nga ata që çfarë nuk i bëjmë Shqipërisë të cilën vetëm socialistët mund ta bëjnë më të mirë. E kështu me radhë. Sepse qeverisë i flet puna vetë.
Nuk do shumë zgjuarësi të kuptosh se kur një pjesë e shoqërisë bëhet nihiliste ndaj vendit të vet, ai vend nuk ka ndonjë të ardhme të mirë. Madje do dyshuar edhe nëse ka të ardhme. Optimizmi i rremë për zhvillimin i z. Rama nuk përkon me “fenë” e mosbesimit që është përhapur ndër shqiptarë, të cilët jo vetëm nuk e lidhin veten me ndonjë ëndërr në këtë vend, por po pranojnë përherë e më shumë se ky vend kështu ka qenë e kështu do të jetë. Se ky vend nuk bëhet. Dhe kjo psikologji I rëndon çdo lloj program, nihilizon çdo lloj suksesi, imagjinar apo jo, ajo e shndërron në materiale marrëdhënien dhe në këtë kuadër z. Rama është një kalimtar në histori, asgjë më shumë. I cili jeton më mirë se të gjithë ne të tjerët në këtë vend, të cilin vërtet, ndoshta e mori rrëmujë e me probleme por e ka bërë – edhe më të pastër nëse duam – vetëm për disa. Për të vetët. Duke krijuar një ndasi të thellë te njerëzit që tashmë nuk po shohin partitë, por po shohin të ardhmen gjetiu. Dhe ky është dështim kriminal.
Add new comment