Hajmalitë e Edit, hajmalitë e Ilirit dhe Bajram normali në “mes”

Postuar në 17 Qershor, 2022 10:27
Skerdilajd Zaimi

 

Pas kodit të etikës së ministrave të mandatit të tretë, që është mandati i dhjamit, qeveria ka menduar që të kthejë dinjitetin e institucionit të presidentit. Dinjitet të cilin e sheh te kufizimi i numrit të dekoratave që presidenti ka të drejtë të japë në një vit. Gjithësej 23 të tilla, edhe këto të përcaktuara. 

Është po kjo qeveri që na rrëfente se një president e firmos qorrazi dekretin se ashtu ia cakton kushtetuta. Bast të cilin e humbi. Është po kjo qeveri që thoshte se një gjykatës mund të betohet para noterit, dhe po ta lije mundet madje të propozonte që betimi të dërgohej me postë. E humbi edhe këtë bast ‘çjuridik’. 

Tani e njëjta qeveri serbes serbes sugjeron se kreu i shtetit mund të japë aq dekorata sa duhet. Edhe pse kryeministri i vendit, që bën e zhbën ligje sa kkhë që askush nuk bëzan, na u mburr se Partia Socialiste që është këtu për Shqipërinë, zgjodhi një president normal. Pra nga ata që e dinë masën. E ndërkohë që neve na jep këto garanci, rend me galop të kufizojë dekoratat sepse Bujar Nishani dhe pasardhësi i tij, Meta, e banalizuan këtë punë. 

Mirëpo nëse hedhim pak sytë pas do shohim se shokët e partisë, fëmijët e shokëve që sot qeverisin, nuk dinë të jenë ndryshe në ndere dhe qedere. I kujton dikujt gjë Rruga “Dritan Hoxha”? E përuroi emrin Edi Rama. Po çfarë ishte personi për të patur emrin në një rrugë? Të flasim me kriteret që duhen, jo sipas midesë. Një pronar mediash, sipërmarrës në fillimet e tij dhe kaq.

Ju thotë gjë Rruga “Gjergj Filipi”? Kush ishte zotëria në fjalë? Një ekonomist i ri pranë Partisë, që u bë drejtor i INSTAT e u nda nga jeta herët. Kaq. Emërtimi i rrugës u bë nën arsyetimin “ekonomist i spikatur”. 

Sa buste papësh kanë vënë këta lajkatarët parvenu të Shqipërisë? Kryeministri i zuri rrugën Papës me fëmijën e vet në dorë për të vjedhur “fait accompli” një bekim të atypëratyshëm. Besimtar nuk ke ç’i thua! Ia bën edhe qokën vetes. 

 Ka papa Vojtila që e meriton qoftë për rolin e tij kundër komunizmit dhe vizitën që i dedikoi Shqipërisë, tokës së shkretuar nga besimi, ndonëse siç rezultoi ne nuk jemi antikomunistë. Sepse nuk jemi asgjë politike përtej stomakut që bluan. 

Ka edhe Papa Françesku që është gjallë e vepra e të cili tende nuk është shoshitur nga historia. Ama bustin e ka, sepse do vinte këtu e duhet t’ia miklonin pak sedrën, pse jo ta provokonin tokësoren e tij me metaforën e Moisiut që gjeti idhujtarinë pasi shkoi të merrte 10 urdhëresat.

Në Shqipërinë e këtyre zorzopëve të pafryrë ka monument edhe për grushtin e shtetit në Turqi, një rast i paprecedentë lëpirjeje dhe servilizmi që vetëm Edi Rama mund ta bëjë. Quhet politikë. Dakord, po deri ku shkon kufiri i kësaj rrogozepsjeje (a)karakteriale e një vendi të tërë që detyrohet të përfaqësohet nga një njeri që karakterin ndoshta e ka siklet nervor? 

Çfarë celebron Shqipëria këtu?! Çfarë kujton ajo me këto hajmali të servilizmit që janë ku e ku më të dëmshme sesa hajmalitë e haneve dhe mejhaneve që shpërndante Ilir Meta? 

Këtë e di vetëm Edi Rama dhe soji i tij politik. Sepse ky është një farë vendi që edhe motivet e përkujtimeve, promemorieve e rrangullave me radhë që luajnë rol monumenti, i ka sekret. Sepse sekret duhet të jetë karriera e disave këtu, sekret edhe detyrimet që rrjedhin nga karriera të tilla. Sekrete banale (të dhashë e më jep) që fshihen pas pozës së rregullimit me ligj të numrit të dekoratave që jep presidenti i cili nga normal që na u tha se është, u bë fare fare normal. Beterr në normalitetin e normuar ku po e fusin të shkretin. Po Shqipëri hesapi! 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.