Strategji unike në histori/ShBA kundër talebanëve dhe armëve të veta
Shtatë helikopterë të rinj ishin dërgesa më e fundit e pajisjeve ushtarake amerikane në Afganistan një muaj më parë. Pasi kontrollin e vendit e morën talebanët, e gjithë logjistika amerikane është në duart e tyre.
Zyrtarë dhe ish-zyrtarë amerikanë shprehen të shqetësuar për përdorimin e armëve dhe mjeteve ushtarake mbi civilët afganë. Një tjetër shqetësim është se mund të vihen në shërbim të grupeve terroriste si Shteti Islamik apo edhe të përfundojnë në duart e rivalëve si Kina e Rusia.
Administrata Biden po shqyrton disa opsione për të shmangur skenarë të tillë. Goditja me raketa e pajisjeve të rënda ushtarake është një prej tyre.
Por ekziston frika se kjo do të acarojë talebanët në një kohë kur SHBA vijon operacionet e evakuimit. Sipas një zyrtari amerikan të cituar nga Reuters në kushte anonimati, janë rreth 2000 pajisjet ushtarake amerikane në duart e talebanëve.
Mes tyre ka avionë ushtarakë, helikopterë sulmi dhe dronë. Shpejtësia me të cilēn talebanët morën Afganistanin të kujton militantët e Shtetit Islamik, të cilët në 2014 morën pa ndonjë rezistencë armët amerikane nga forcat irakiane. Përgjatë viteve 2002-2017, SHBA asistoi forcat afgane me pajisje ushtarake në vlerë 28 miliardë dollarë.
Ekspertët thonë se situata në fjalë tregon se SHBA duhet të monitorojë më mirë armët që u jep aleatëve.
Add new comment