Vaksina kineze si element shpjegues i paradoksit kilian

Postuar në 13 Prill, 2021 15:33

E kanë pagëzuar “paradoksi kilian”. Vendi në Amerikën e Jugut habiti botën për shpejtësinë e fushatës së vaksinimit masiv kundër koronavirusit: 4.6 milionë njerëz nga 18 milionë banorë që ka Kili kanë bërë dy doza të vaksinës, 7.2 milion kanë bërë vetëm njërën. Vetëm Izraeli, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Seychelles renditen para Kilit për fushatën e vaksinimit.

Megjithatë, infeksioni vijon të përhapet me ritme rekord, veçanërisht tek të rinjtë, dhe njësitë e kujdesit intensiv në spitale janë të zëna në 95% të tyre. "Buletini" i fundit flet për një total prej 1 076 499 raste të konfirmuara dhe 24 346 vdekje. Shifrat e kanë detyruar vendin t’i rikthehet karantinës nga fundi i marsit.

"Paradoksi" ka më shumë se një shpjegim. I pari ka të bëjë me shkujdesjen. Me lehtësimin e kufizimeve të udhëtimit, rihapjen e shkollave dhe dyqaneve, populli krijoi iluzionin se pandemia mori fund. Por siç thotë edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), imunizimi nuk zëvendëson parandalimin. Mosrespektimi i masave si distanca fizike, higjiena personale, ajrosja e hapësirave ose ndalimi i grumbullimeve sollën edhe rritjen e numrave të të infektuarve.

Një shpjegim tjetër, më shqetësues, i "paradoksit kilian", është edhe efikasiteti i dobët i vaksinave të përdorura. Një studim i kryer nga studiues të Universidad de Chile mbi rezultatet e fushatës së vaksinimit arriti në përfundimin se vaksina mbron mesatarisht 56.5% dy javë pas administrimit të të dy dozave të planifikuara dhe vetëm 3% pas dozës së parë.

Duke marrë parasysh që vaksina kineze Sinovac (93%) përdoret kryesisht në Kili dhe Pfizer BioNTech për 7%-shin e mbetur, studiuesit konkludojnë se vaksina kineze ka siguruar mbrojtje deri në masnë 54%.

Pak a shumë të njëjtën shkallë mbrojtjeje konfirmoi edhe vetë Kina disa ditë më parë. Gao Fu, drejtori i Qendrave Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, pranoi pak ditë më parë se vaksinat kineze që janë aktualisht në qarkullim "nuk kanë normë shumë të larta mbrojtjeje" .

/ Corriere.it / 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.