Një ithtar i shqiptarisë
Emisioni i Marin Memës për popullsinë e Dropullit ka provokuar një debat në të cilin janë përfshirë edhe ekspertë të fushës, historianë e gjuhëtarë. Debati është zhvendosur në një mjedis higjenik - revista online “Peizazhe të Fjalës”- ku mundet të lexosh parashtrime të ndryshme mbi një temë jo të lehtë.
Radha për të shkruar i ka ardhur edhe Albert Dojës, profesor i Antropologjisë dhe Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Profesor i antropologjisë në Universitetin e Lilës në Francë. Përtej titujve, shkrimi i z. Doja nuk sjell asgjë për temën; për arsye të panjohura z. Doja bën një parakalim të shkrimeve të mëparëshme duke vënë nota për njërin e për tjetrin dhe mandej me një sens autoriteti të vëtëshpallur si primus inter pares mban pozicionin e vet.
Ideja që të krijohet është se ky është shkrimi i fundit për këtë temë, për të cilën këtej e tutje nuk ka se çfarë të thuhet më. Paradoksi me këtë qasje është se z. Doja riprodhon për një fragment të historisë së Jugut të Shqipërisë atë narrativë që sugjeronte Akademia e regjimit komunist, të cilën pak kohë më parë e ka akuzuar se në lëmin e Albanologjisë ka injoruar kontribute të çmuara me pasojë çedimin në metodën kërkimore.
Aplikohet në këtë rast ajo thënia: Zot na mbaj gojën mbyllur kur nuk kemi se çfarë të themi.
Por ndërhyrja e z. Doja merr interes për shkak se në cilësinë e akademikut – kështu prezantohet – ai bën edhe këtë koment:
Me sa di unë, Pëllumb Xhufi nuk e ka fshehur asnjëherë pozicionin e tij ideologjik si ithtar i shqiptarisë. Madje, dikush mund të thotë se arritjet e tij janë shprehje e patriotizmit dhe kombëtarizmit, por edhe një kontribut në përpjekjet e historiografisë analitike për të parë me dyshim apo për të hedhur poshtë aplikueshmërinë e skemave moderniste të rolit të nacionalizmit në Ballkan. Sidoqoftë, në reagimet e tyre, përveç akuzës për pozicionim ideologjik, kundërshtarët e tij nuk arrijnë të sjellin veçse fakte e kundërfakte që mbeten gjithnjë të diskutueshme në raport me njërin apo tjetrin pozicionim ideologjik. Në fakt, me ndërhyrjen e tij të lavdërueshme mbi nevojën e debatit metodologjik, duhej pritur që Kosta Giakoumis të na tregojë nëse hulumtimet e Pellumb Xhufit përmbushin interesa të caktuara politike duke shtrembëruar me qëllim dhe në mënyrë mashtruese interpretimin e të dhënave kulturore dhe historike në përputhje me agjenda politike të diskutueshme mbi baza morale
Ky lloj konstatimi ka disa probleme kështu si paraqitet. Përcaktimi si ithtar e kompromenton besueshmërinë e Xhufit si historian sepse është e pashmangshme që një ithtar të mos vetëinstrumentalizohet në Histori, një disiplinë kjo që ka vlera të posaçme për afirmimin e bindjeve përveçse është mundësi për zbulimin e të vërtetave. Një akademik si z. Doja do ta kishte problematike të pajtonte këtu dy anë, ndërkohë që ajo që thotë ai se “z. Xhufi nuk provohet se me hulumtimet e tij përmbush interesa të caktuara” është sofizëm.
Këtu nuk po flasim për Xhufin strikt si historian i një periudhe, por historianin që merr rolin e një intelektuali publik, që përdor kredencialet e veta në fushën ku është ekspert për të udhëhequr një polemikë gati popullore ndaj një grupimi që përvijohet vetiu si përfaqësues i një deformimi historiografik. Kush ka sy të shohë e kupton se ky është një rreshtim i dëmshëm, që gjeneron keqkuptime, që janë paradhoma e konfliktit.
Një ithtar duhet parë përherë me dyshim, pohimet e tij duhen mbikëqyur dhe vëzhguar me kriticizëm. Z. Doja e skualifikon këtë gjë dhe e bën këtë jo pse na dëshmon se ka bindje shkencore për ato që thotë, por sepse qysh në titull na ilustron se ku qëndron pozicioni i tij në këtë debat.
Për ta kuptuar sa rëndësi ka ky moment, po sjellim këtu një fragment nga një ndërhyrje e z. Doja po në revistën në fjalë, gjatë një diskutimi për Osman Myderrizin.
Problemi qëndron në faktin se studimet shqiptare nuk e kanë luksin të injorojnë modele të tilla shpjegimore si ato të Myderrizit që për nga karakteri paraprirës e revolucionar do t’i kishte zili gjithë bota, për të mos folur pastaj për arritje të tjera me të cilat merret bota, ndonëse duhej të merreshin edhe albanologët tanë të sotëm, siç kam mundur të bëj për të trajtuar mbi baza të reja shkencore transformimet e dallimeve kulturore dhe rikompozimet identitare shqiptare.[2] Gjithashtu, duhet përfituar nga qasjet kritike për të nxjerrë në pah atë lloj inercie zyrtare të trashëguar nga hierarkitë politiko-shkencore të së kaluarës prej të cilave kanë vuajtur, ndonëse në mënyra të ndryshme, si Myderrizi edhe Çabej dhe shumë të tjerë si ata. Pikërisht këto hierarki kanë përgjegjësi për mënjanimin e studiuesve të ndershëm që nuk flirtuan me pushtetet politiko-shkencore, si dhe për justifikimin dhe përligjien e shtypjes mizore dhe përçarjes kulturore që ka vuajtur populli shqiptar gjatë regjimit komunist, si p.sh. në rastin e drejtshkrimit të gjuhës letrare apo në rastin e folklorizmit të traditave kulturore. Këto hierarki nuk mund të vazhdojnë më, por janë përsëri mendësitë e vjetëruara që janë trashëguar prej tyre që vazhdojnë të mbajnë studimet e sotme albanologjike në gjendjen e mjeruar ku kanë mbetur
Po a nuk është Xhufi polemist shfaqje e një inercie të tillë që tanimë ka kaluar në media apo në rrethet me ndikim në Tiranë, aty ku edhe riprodhohen hierarkitë, meqenëse Akademia është ndryshkur me kohë? A nuk është autoriteti i tij si intelektual publik, i kultivuar në proporcion me interesin e mediave dhe jo vetëm, për pozicionimet e tij kundër asaj që perceptohet si Greqi, greqizëm, helenizëm, apo edhe grekëri siç e përdor Doja në mënyrë disi përçmuese? Pse vallë nuk debatohet asnjë prej librave të tij që janë kontribute me vlerë, por vetëm ndërhyrjet e tilla?
A nuk është vetë diskutimi në shqip i tezave të përfaqësuesve të “grekërisë” një hapje pozitive drejt shumësisë së perspektivave për lexuesin shqiptar për këtë temë, lexues i cili ka rastin të rikonfirmojë edhe njëherë se historiografia shqiptare ka probleme serioze, madhore madje në mënyrën sesi i përdor burimet?
Sigurisht që këto janë pyetje për të cilat pakkush ka veshë të dëgjojë, meqenëse tashmë është e qartë se nuk kemi më dy palë që debatojnë, as dy anë që dialogojnë, por dy llogore. Dhe për krijimin e tyre ka kontribut edhe z. Xhufi, i cili ndikon që historia e asaj zone, apo për këtë temë të vazhdojë të shihet me sytë e Tiranës. Siç edhe e sheh z. Doja, apo Marin Mema.
Problematik është në ndërhyrjen e një akademiku edhe termi Shqiptari. Nuk dihet se çfarë nënkupton zotëria me këtë term, por nëse ajo është një përpjekje për afirmim nacional të shqiptarëve sipas një narrative rivendikuese, atëherë kemi të bëjmë me një pozicion me të cilin jo çdo shqiptar do të ishte dakord. Kjo është një shqiptari që ndan, që nuk përfaqëson çdo shqiptar dhe këtu nuk kemi më kontribute, por axhenda të bindjeve të caktuara. Nuk kemi histori, por ideologji. Kemi një pikëpamje, por jo një monopol. Sepse z. Doja duhet ta dijë se ka shqiptarë edhe jashtë kësaj shqiptarie.
Për ta lexuar mirë këtë lloj shqiptarie në të cilës aderon si ithtar z. Xhufi, mjafton të kuptohet se ajo sfidon edhe realitetin qytetar e njerëzor të krijuar gjatë regjimit të shkuar, ku bashkëjetesa, ndonëse e sforcuar, ishte ku e ku më lart dhe e vërtetë sesa parafashizmi që po shohim sot. Kjo e sotmja është një shqiptari e ethnosit, e vijave ndarëse, e kufijve dhe rishikimit të tyre, e imagjinatës, e kërkesave për të rishikuar një rend ku ne paraqitemi si viktima, kur nuk jemi vetëm të tillë. Ndaj edhe siç mund të jetë vënë re, polemikave të tilla u dihet qysh në fillim rrjedha dhe përfundimi. Në fund të fundit, edhe tani, nuk kuptohet se çfarë rëndësie, vlere dhe dobie ka, çfarë mesazhi përcjell një emision që flet për konvertim popullsie, të cilin e hipotetizon në mënyrë fare trashanike dhe pas të cilit për çudi rendin akademikë?
Çfarë i ka trazuar shpirtrat? Shpresojmë që të jetë e vërteta axhenda e kësaj beteje që tund flamuj që nuk i mban dot vetëm shqiptaria.
s.zaimi
Comments
Debati aktual ne peizazhe te
Debati aktual ne peizazhe te fjales i perngjan nje tollumbaceje qe fryhet menjehere dhe lihet te cfryhet mengadale!
Add new comment