Kriza dihet, puna është tek Alternativa

Postuar në 13 Dhjetor, 2020 21:50

Që nga protesta e studentëve, duhet të pranojmë se dukuria e Memeve ka njohur një përhapje masive me gjetje origjinale që tejkalojnë disa herë devizat bajate dhe të përsëritura të partive politike. Ato janë skripti më real i këtij tranzicioni që është shoqëruar edhe nga memecëria fitimprurëse shoqërisë civile.

Edhe mikrokryengritja e tanishme në rrugët e Tiranës ka përcjellë memet e veta: të goditura, të gjetura dhe që në fakt e vënë gishtin në plagë edhe pse lëvizja e trupës ka qenë pa tru dhe nën marshin e huliganizimit. Këto meme janë në fakt të vetmet që sfidojnë forcën e propagandës qeverisëse dhe rrjeteve sociale të kryeministrit, e megjithatë, ato nuk mobilizojnë dot. Ato përkujtojnë, theksojnë, celebrojnë me humor dhe cinizëm e nëse duam përkufizojnë verbalisht krizën strukturore të këtij vendi. E konstatojnë atë në hapësirë publike dhe pa filtrin deformues të mediave.

Por përtej kësaj mbetet fusha bosh sepse Meme të tilla akuzuese e vendosin edhe opozitën tradicionale në anën e të akuzuarit, pasi ajo ka përgjegjësinë e saj. Këto thirrje, ky apel, kjo qasje antisistem është në fakt përsëritja e mesazhit më të rëndësishëm që vjen nga shoqëria shqiptare: Duhet një alternativë e re. Një gjetje krijuese politike që të përfaqësojë atë pjesë dërrmuese të popullsisë që është e margjinalizuar sidomos nga gënjeshtra e përditshme që i falet nga të gjitha anët.

Është një mesazh që kërkon të ankorohet në një organizim, në një trup politik për ta ngritur mandej në nivelin e një procesi që patjetër do të sfidojë realisht establishmentin e hajnisë që po na dëbon nga vendi fizikisht, pasi na ka dëbuar nga çdo e drejtë reale.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.