Kthen ligjin “Për Shtetësinë”: Ndikon në politikën për popullsinë
Presidenti i Republikës ka kthyer për rishqyrtim ligjin “Për Shtetësinë” duke paraqitur me këtë rast edhe arsyet e veta. Në një nga pjesët argumentuese, kreu i shtetit vë në dukje disa aspektevtë ligjit për fitimin e shtetësisë nga të huajt.
Në nenin 8, shkronja “c)” parashikohet si kusht për aplikimin për marrje të shtetësisë shqiptare me natyralizim, fakti që shtetasi i huaj: “Të qëndrojë në mënyrë të ligjshme dhe të banojë për një periudhë të vazhdueshme për jo më pak se 7 (shtatë) vite në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe ka përfituar leje të përhershme qëndrimi, të vlefshme në momentin e paraqitjes së kërkesës, sipas ligjit për të huajt.”
Nëse ligjvënësi ka vlerësuar se nëpërmjet këtij ligji do të kufizojë mundësitë dhe forcojë kriteret që parashikohen në legjislacionin ekzistues për marrjen e shtetësisë shqiptare, kjo kërkon një diskutim më të gjerë me të gjithë aktorët, për sa kohë që lidhet direkt edhe me politikën që ndikon në popullsinë e Republikës së Shqipërisë.
Ndaj, mes Kuvendit dhe Presidentit të Republikës duhet të kishte pasur paraprakisht një diskutim me fokus trajtimin e thelluar të çështjeve rreth kësaj politike. Mbi të gjitha, kjo çështje me kaq ndjeshmëri nuk mund të lihet, sipas pikës 7 të këtij neni, për t’u detajuar në një udhëzim të një ministri
thuhet në arsyetimin e dekretit.
Ky qëndrim riprodhon disa pozicione të Presidentit për të ashtuquajturin “projekt të shpopullimit të Shqipërisë”, por me se s të kundërt. Kështu Meta po kujdeset që kufizimet në marrjen e shtetësisë nga të huajt të mos jenë shumë shtrënguese pasi në thelb këtu shkon edhe kritika e tij ndaj ligjit. Dhe kjo bëhet më e qartë në paragrafin vijues të argumentimit të tij:
Neni 8, shkronja “ç”, rendit si kusht për marrjen e shtetësisë me natyralizim, kërkesën që i huaji të ketë banesë. Konkretisht, citojmë këtë parashikim: “Ka banesë në përputhje me standardet e miratuara të banimit në Republikën e Shqipërisë.”
Ky lloj formulimi nënkupton që shtetasi i huaj duhet të ketë në pronësi të tij një banesë, duke krijuar kështu një barrë jo proporcionale për fitimin e shtetësisë shqiptare. Kriter i mjaftueshëm për marrjen e shtetësisë, është dhe vetëm fakti i zotërimit të një banesë sipas standardeve të banimit
Pra presidenti po kërkon relativizimin e kufizimeve për të huajt duke synuar kështu një standard më liberal. Ndërkohë që shqetësimi i tij politik ka qenë se shqiptarët po ikin.
Ndoshta nga një pikëpamje strikt ligjore dhe kushtetuese, argumentimi i Metës ka kuptim dhe vlerë, por ai është disi inkoherent me qëndrimet politike të kohëve të fundit, ndërkohë që nuk është e qartë se me cilën kategori të huajsh lidhet ky shqetësim që buron nga dispozitat e ligjit të ri.
Add new comment