Ndahet nga jeta gjuhëtari Jorgji Gjinari
Ndahet nga jeta Jorgji Gjinari, një nga dialektologët më të shquar shqiptarë, autor i një vargu monografish për të folme të ndryshme të shqipes, autor i veprës më të plotë e përgjithësuese mbi dialektet e gjuhës shqipe, bashkautor dhe drejtues shkencor i veprës madhore “Atlasi Dialektologjik i Gjuhës Shqipe”.
Gjithashtu ai ka sjellë kontribute edhe në fusha të tjera të gjuhësisë, si dialektologji historike, prejardhja e gjuhës shqipe, marrëdhëniet e dialekteve me gjuhën letrare etj.
Jorgji Gjinari ka lindur në Berat më 1931, ku edhe kreu shkollimin fillor e më pas shkollën e mesme pedagogjike.
Më 1951 filloi studimet e larta në Institutin Pedagogjik 4-vjeçar në Tiranë. U diplomua në degën e Gjuhës Shqipe dhe të Letërsisë në atë institut më 1955. Po atë vit u emërua si punonjës shkencor në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë, të themeluar rishtas në kuadrin e Institutit të Shkencave.
Add new comment