Kushtetuta jam Unë/Presidenti nuk mund të refuzojë të dekretojë ministra!
Nuk mund të ndodhë më që presidenti të refuzojë të dekretojë ministra. Të gjitha duhen adresuar, jo për Ilir Metën, por institucionin e presidentit, që sot është kapur për fyti dhe përdoret si instrument për të bërë politikë partiake, për të nxitur konflikt dhe për të ushqyer konflikt. Ne kemi një president me Hënë, sa herë Hëna rrotullohet në drejtimin e duhur dhe bashkëpunon si në rastin e COVID ne jemi në dispozicion për të bashkëpunuar
Kështu është shprehur sot në Kuvendin e Shqipërisë, kryeministri Edi Rama, i cili është përpjekur të mbulojë diellin me shoshë. Shumica e urdhëruar prej tij nuk e shkarkoi presidentin e Republikës, të cilin e hetoi për shkelje të rënda të Kushtetutës. Shkelje të cilat nga Venecia u rivlerësuan si interpretime në kufij të Kushtetutës. Ky është një episod domethënës për nevojën e kufizimit të pushtetit të Legjislativit, sidomos kur ai dominohet nga një shumicë që ka axhendë pasurimin e vet.
Kryeministri thotë se presidenti nuk mund të refuzojë dekretimin e ministrave. Por kjo ka vlerë kur kryeministri vetë është ligjërisht dhe konkretisht i përgjegjshëm, pasi nuk ka president që të dojë të jetë serioz e të pranojë të dekretojë Gent Cakajn në krye të Ministrisë së Jashtme. Presidentit i janë dhënë me Kushtetutë të drejta të caktuara, por ai është kryetar shteti me përkufizim dhe nuk do të ishte mirë që ky nocion të barazohej me gjumë institucional dhe besim të verbër te qeveria.
Parimisht ministrat janë zgjedhje e kryeministrit, patjetër që po. Dhe kalojnë nga Kuvendi, porn ë dritën e përvojës së këtyre viteve, ne duhet të ndihemi mirë që presidenca ndoqi vendimet që ndoqi duke shfrytëzuar maksimalisht hapësirën kushtetuese. Dhe e bëri këtë pavarësisht goditjes që mori me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, ku ka dorë i njëjti njeri që sot ankohet se e ka lënë presidentin me shumë kompetenca dhe tani ka ndërmend t’i krasisë më tej ato.
Add new comment