Harvardi i lë targën INSTAT-it dhe Kongresit të PS-së, flet për mrekullinë shqiptare
Agjencia Telegrafike Shqiptare sjell sot një pjesë nga përfundimet e Qendrës për Zhvillimin Ndërkombëtar në Universitetin e Harvardit ”The Growth Lab”. E drejtuar nga Ricardo Hausman, qendra na flet për një mrekulli ekonomike shqiptare, mrekulli të cilën ne që jetojmë këtu nuk kemi përjetuar gjëkundi.
Shqipëria është një vend ku ka pasur shumë arritje për të zgjeruar mundësinë dhe mirëqenien, pasi rritja ekonomike është përshpejtuar gradualisht që nga 2013-14, por ku mbetet ende për të bërë për të vazhduar këtë përshpejtim. Duke i hedhur një sy dekadës së fundit, ekonomia shqiptare bëri një kthesë të jashtëzakonshme. Nuk e teprojmë nëse e quajmë atë një mrekulli shqiptare. Gjërat dukeshin të zymta në vitin 2013 pasi rritja vjetore e të ardhurave për frymë ishte ngadalësuar gjatë pesë viteve të kaluara për të arritur në një minimum prej 1,2%.
Shqipëria u përball me një vulnerabilitet të thellë makroekonomik dhe të sistemit elektro-enegjetik, po ashtu edhe me recesionin në Greqi dhe Itali, në mes të një krize edhe të euros. Kur Shqipëria hyri në një program të FMN për të mbështetur një rregullim fiskal në fund të vitit 2013, pritja ishte një ngadalësim i mëtejshëm nën masat shtrënguese. Por, në vend të kësaj, ekonomia shqiptare filloi të lulëzonte. Rritja për frymë u përshpejtua gjatë secilit prej pesë viteve të ardhshme për të kapërcyer 4,4% në 2018
citon ATSh shkrimin me autorë Tim O’Brien dhe Jessie Lu.
Çështja bëhet më interesante në paragrafin e mëposhtëm:
Borxhi i Shqipërisë u vu në një trajektore plotësisht poshtë, sistemi i energjisë elektrike u stabilizua dhe rezultatet ekonomike u veçuan nga ato të BE-së. Me një normë të rritjes për frymë më shumë se dy herë mesataren e BE-së deri në vitin 2018, Shqipëria ishte në ritmin për të arritur nivelin e të ardhurave të Gjermanisë sot për 32 vjet, një periudhë më e gjatë kohore nga sa dëshirojnë shumë shqiptarë, por një që do të ishte e mrekullueshme duke pasur parasysh pozicionin fillestar…
Faza tjetër e mrekullisë shqiptare do të kërkojë më shumë bashkevolucion të funksioneve shtetërore dhe shpërndarje për të përmbushur nevojat në ndryshim të sektorit privat, duke përfshirë veprimet që përshpejtojnë blerjen e njohurive nga jashtë
Nëse marrim vlerësimet e qeverisë shqiptare, të Ministrisë së Financave, ne nuk e gjejmë këtë analizë optimiste. Borxhi është diçka e matshme dhe të thuash se ai u vu në kontroll kur parashikohet të shkojë mbi 80% dhe se të gjitha PPP-të po llogariten si të tilla, do të thotë të flasësh në të kundërt me institucionet financiare.
Mrekullia shqiptare është një shaka e ekzagjeruar kur merr parasysh marzhin e emigrimit dhe kur kujton se vetëm Greqia kërkoi 10 000 punëtorë sezonalë me fillimin e pandemisë. Nëse do të kishim zgjerim të punësimit, do të ishte pak e vështirë të shiheshin këto shifra, ndërkohë që sot që flasim kemi një sektor të tërë si turizmi të rrëzuar përdhe.
Është po ashtu e çuditshme që ky Laborator i Rritjes injoron rolin e ekonomisë informale në analizën e vet dhe të parave të drogës në stabilitetin e vendit, të paktën në ruajtjen e parametrave bazë në kërkesën konsumatore, pasi asksush nuk mund të injorojë se influksi më i madh në ekonominë reale vjen nga rrugë që shteti ynë nuk i gjurmon, por i amniston. Ky shënim megjithatë na kujton se Harvardi vetë nuk përfaqson ndonjë mundësi apo mrekulli, përderisa këto ovacione mund t’i ofrojë falas nga çdo student që nuk e shikon derën e leksionit.
Add new comment