G 20, 5 trilionë dollarë për të ekuilibruar pasojat e pandemisë
Ndërsa përhapja e pandemisë së Covid-19 rrezikon një recesion të thellë në ekonominë botërore, vendet e G20 u angazhuan në një front të përbashkët përballë këtij rreziku. Plot 5 trilionë dollarë do të injektohen në ekonominë globale për luftuar efektet negative që ka nisur dhe pritet t’i thellojë në ekonomi koronavirusi.
Mbledhja e G20 u realizua përmes videokonferencës dhe u drejtua nga mbreti Salman i Arabisë Saudite, i cili kërkoi një bashkëveprim të koordinuar kundër pandemisë.
Kjo masë vjen në përgjigje të kritikave se G20 ka qenë e ngadaltë për të adresuar pandeminë COVID-19, e cila ka lënë më shumë se 21 000 të vdekur në të gjithë botën sipas të dhënave zyrtare, dhe ka shkaktuan një valë shoku financiar, pasi më shumë se tre miliardë njerëz janë mbyllur në shtëpitë e tyre.
"Ne jemi të përkushtuar fuqimisht për një front të bashkuar kundër këtij kërcënimi të përbashkët", thanë udhëheqësit në një deklaratë të përbashkët pas samitit. "Ne po injektojmë mbi 5 trilion dollarë në ekonominë globale, si pjesë e politikës fiskale, masave ekonomike dhe skemave të garantuara për t’i kundërpërgjigjur ndikimit social, ekonomik dhe finaciar të pandemisë”, thanë ata.
Ndërsa shqetësimet rriten për vendet më të varfra pa qasje në tregjet e kapitalit ose lehtësirat e duhura shëndetësore, udhëheqësit e G20 gjithashtu premtuan se do të punojnë me organe të tilla si Fondi Monetar Ndërkombëtar për një paketë financiare "të fortë" për të mbështetur vendet në zhvillim.
Add new comment