Dyfytyrësia e PD-së/Për sistemin zgjedhor të vendosë populli. Për reformën territoriale do të vendosim vetë
Partia Demokratike mendon se reforma territoriale ka dështuar dhe se rishikimi i hartës administrative të vendit është prioritet absolut.
Në mbledhjet e Kryesisë së Degëve Korçë, Pogradec, Devoll, Kolonjë dhe Maliq, i sigurova për planin tonë konkret për nxjerrjen e vendit nga kriza e thellë ekonomike ku është përfshirë si pasojë e keqqeverisjes.
Ndamë bashkërisht shqetësimin se Reforma Territoriale, e miratuar në mënyrë të njëanshme dhe për qëllime politike, ka qenë një dështim dhe ka cënuar rëndë interesin e qytetarëve. Ata janë të braktisur. Bashkitë dhe administrata e tejfryrë nuk janë më në shërbim të qytetarëve. Rishikimi i reformës territoriale është prioritet absolut i Partisë Demokratike
shkruan në Facebook sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi.
Reforma territoriale është e vërtetë që ka dështuar sepse ajo nuk përmbushi objektivat e vendosura. Shërbimet publike nuk u përmirësuan, pushteti vendor është inekzistent si levë përmirësimi të cilësisë së jetës dhe katalizator zhvillimi. Mjafton të kujtojmë fushatën qesharake të verës së kaluar, ku për lirua plazhet publike u angazhua Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme me Kryeministrin, ndërkohë që pushteti vendor nuk ushtronte kompetencat e veta.
Kjo është njëra anë. Ana tjetër është se PD-ja nuk ka një opsion alternativ në tryezë pos kthimit në variantin e 384 njësive vendore, por edhe ai model është provuar si i dështuar. Dhe për këtë vlen si ilustrim situata e krijuar në territor me ndërtimet pa kriter dhe kthimin e njësive administrative në qendra punësimi partiak.
Për këtë arsye PD-ja më tepër sesa një opsion për korrigjim, duket se propozon një model ku ka siguri elektorale dhe përfaqësimi. Akuza e saj se reforma territoriale diskriminon elektoralisht, mund të ketë bazë por ajo nuk mund të absolutizohet. Vetëm pak ditë më parë kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaroi se për sistemin zgjedhor le të vendosin shqiptarët, pasi PD-ja fiton me çdo sistem. Në mënyrë tinzare, z. Basha aludoi për një referendum që ai e di shumë mirë se nuk ka gjasa të zhvillohet. Për këtë arsye, sot PD-së i kërkohet që edhe për reformën territoriale të flasë populli, të cilin e kaq shumë për zemër këto kohë.
Add new comment