Për çfarë reagon kryeministri
Në gjashtë vjet kryeministër, z. Rama e kanë akuzuar për shumëçka. Xhanëm akuza është si biçim profesioni në këtë vend, por kjo nuk është qeveri oshënarësh. Kështu që mëkati sjell mëkatarët.
Por kjo pak rëndësi ka tanimë që qeverisë i doli boja se çfarë është. Rëndësi ka se për çfarë reagon dhe shqetësohet ky kryeministër.
E akuzuan për aferën e CEZ-it. Nuk e vuri ujët shumë në zjarr se i kishte ca letra qeverisë paraardhëse për privatizimin.
E akuzuan për koncesionet dhe shpiku termin kazan. Vazhdoi t’I jepte edhe sepse miqësia me ata që marrin koncesione indirekt nënkupton akses në media. Mediat po këta I kanë.
E akuzuan për lidhje me krimin. Nxori dëshminë e penalitetit. Bënte sikur nuk kuptonte.
E akuzuan për Teatrin, lejet e ndërtimit. Se vuri ujët në zjarr. Ka shumë lekë për të shpërndarë aty dhe ato mbyllin shumë gojë.
Mirëpo këto janë akuza që bashkë me kanabizimin janë shumë serioze dhe çojnë në largimin e një qeverie. Jo qeverinë e z. Rama, i cili shqetësohet për të tjera gjëra.
P.sh para disa vitesh, diku nga fillimi i mandatit të parë doli një dokument nga OSBE-ja që e bënte z. Rama pasanik me 200 milion euro cash. Nuk përmbahej zotëria, u tërbua. Aq sa sulmoi edhe misionin e OSBE-së. Kush vallë do besonte se z. Rama do kishte bërë 200 milionë euro? Pakkush, sidomos duke parë ritmin e batërdisë që bëri qeveria e tij.
U tha se ishte në spital, doli me vrap e tha se jam shumë mirë.
E akuzuan se përdorte portalet për të sulmuar deputetin Krichbaum, doli e foli, mohoi dhe kundërshtoi.
Raportuan mediat italiane se Shqipëria mori zjarr, zotëria nisi turin e posaçëm nga një redaksi në tjetrën në Itali. Pa lobim dhe financim kuptohet.
Së fundmi e kanë akuzuar se në takimin e Berlinit i ka dalë pabesisht Kosovës duke kërkuar heqjen e taksës për mallrat serbe. Ka tri ditë që zotëria nuk po lë gur pa lëvizur që ta mohojë këtë dhe të nxjerrë kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj si të pagdhendur që humbi një shans nga propozimi i shkëlqyer i presidentit Macron.
Le të kthejmë në vëmendje sërish faktin se me akuzat për koncesione po flitet për qindra milionë euro. Në rastin e dytë kemi çështje imazhi. Por ndoshta zoti Rama i ka kopsitur letrat dhe nuk shqetësohet. Ai është në merak për imazhin e vet.
Ndaj nuk ka nevojë qeveria për zëdhënës dhe këshilltarë po për minjtë e mediave që luajnë pisllëqe me tekste dhe foto pas perdeve, bëjnë zhurmë me duart e të tjerëve dhe shumëfishojnë liket.
Ah I deyrohemi të vërtetës të themi se në rastin e protestës së studentëve zoti Rama reagoi madje ditët e para duke u fshehur pa folur. Njësoj si në rastin e armëve kimike. Është e qartë se çfarë e nxjerr nga vrima ku kapardiset këtë zotëri që sot flet për Kushtetutë dhe ligj, Europë dhe integrim.
Add new comment