Ec o burazer përpara! T'i dhamë të gjitha...
Nuk pushon zhurma, mërmërima, pëshpërima, ulërima dhe pasthirrma, gjykimi dhe paragjykimi, analiza dhe stërhollimi për djegien e mandateve parlamentare nga ana e opozitës.
Social-nacional-mediatikët, kolonia e pashuar e Shqipërisë është në ethe. Nuk di si ta lexojë faktin se Lulzim Basha mori një vendim. Hodhi një hap i ziu pas pesë vitesh rrethrrotullimi(edhe këtë nuk dihet a e çon deri në fund).
E ka shtrënguar Berisha, po bën manovra, po vret opozitën, po dëmton negociatat. Ja disa teza që hidhen vërdallë në mënyrë alla socialiste. Mirëpo mundi shkon kot sepse në fund të fundit ne kemi sytë në ballë dhe bashkëjetojmë me dhimbjen e madhe, melankolinë madje të këtij shekulli, e që është se ne e ndjejmë se socialistët, specia politike rozë në mavi, mes shqiptarësh kanë përherë të drejtë. Ndaj është e çuditshme se përse kjo sëkëlldi nga lart - poshtë, anash e në mes, aty ku të gjithë trazojnë gjellën e prishur të parave publike. Ne mundet të rendisim modestisht disa ngjarje dhe zhvillime që ftojnë shokët socialistë të jenë më të përmbajtur dhe të mos gjykojnë kaq ashpër.
Që t’i ftillojë ata për ta rrokur se ne Shqipërinë ua falëm sepse vetëm ata mund ta bëjnë.
- Z. Rama ishte dëshmitari fatlum i shpërthimit në Gërdec. Në vend se të kapitalizonte dëshirën e të gjithëve për të hequr nga karrigia Sali Berishën, ai bëri paktin për të varrosur Kushtetutën dhe siguruar veten. Shokët i qëndruan sërish pranë. Më shumë madje. E besuan se bëri atë që duhej.
- Zoti Rama humbi zgjedhjet në vitin 2009 dhe kërkonte mandate me protesta. Bashkë me të ishin edhe shokët e vjetër të partisë, ata që në vitin 2001 kishin shpërndarë 38 mandate me Gjykatë Kushtetuese. Z. Rama nuk donte rrugën e gjykatës. Dhe socialistët i shkuan pas në marrëzinë e “Hap kutitë ose largohu”, edhe pse ai hapi vetëm një vrimë në ujë.
- Zoti Rama nxiti dhe frymëzoi një grevë urie në mes të bulevardit. Shokët e bazës, por edhe qytetarë e mbështetën. Me ditë të tëra. Ishin apo jo dakord.
- Zoti Rama përdori në mënyrë instrumentale videon Prifti-Meta. Nëse ai do të ishte siç pretendon sot, një shtetar që sheh përtej brezit të vet, do të duhet të kërkonte hetim të plotë. Jo. Z. Rama zgjodhi rrugën, por duke qëndruar vetë i fshehur. Ai nxiti dhe nxori para armës qytetarët më 21 janar. Shokët socialistë i qëndruan pranë.
- Zoti Rama humbi çdo garë elektorale dhe nuk bëri asnjëherë zgjedhje brenda partisë. Përdori Maqo Lakrorin dhe shokët e përkrahën. Bënë sikur nuk kuptuan.
- Zoti Rama firmosi marrëveshje me Ilir Metën, armikun e Shqipërisë Europiane sipas tij, duke shpikur Aleancën për Shqipërinë Europiane. U gëlltit edhe kjo. U tret madje nga baza dhe koka.
- Zoti Rama nxori në shitje Shqipërinë te 4-5 biznese. Asnjë nuk foli.
- Asnjë nuk foli nga partia për aferën e CEZ, të gjithë u bënë spektatorë kur Aleancës për Europën i plasi në dorë granata e një porosie për të vrarë një deputet.
- Në fund, z. Rama tha se të gjitha kishin qenë tepsi. Tepsi byreku dhe çyreku që ia kishin marrë fymën, apo firomën atheut tonë të dashur.
Ai kërkoi Timonin. E kërkoi edhe pse kur iu desh që ta përdorte timonin në jetën e vet, përfundoi që flinte pensioneve të Francës. Sot z. Rama thotë se ai ka punuar aq shumë saqë mblodhi lekët për shtëpinë e vet në Surrel. Ndoshta duhet të na tregonte pagesat e sigurimeve shoqërore në Francë për ta besuar edhe ne se Parisi të bën me shtëpi në Surrel.
Ia dhanë pra Timonin këtij timonieri që di të ngasë vetëm celularin.
Ec mor vlla, përpara! Ec pa u ndalur se nuk ka kohë Shqipëria! Duhet të kapë BE-në. Në vend të kësaj z. Rama po ja bën beeeee, prit se nuk jam magjistar. Kam opozitë obstruksioniste që ia nxiu faqen vendit.
Na mor aman. Na edhe mandatet, tani je vetëm fare. Me Elizën, Ermonelën, Eduard Shalsin, me Lalin Erin, me Arta Markun, Gent Cakajn, Baton Haxhiun e të tjerë askushë që kanë zemrën majtas dhe votojnë veç për ty o timonier.
Çfarë ke atëherë që ankohesh? Që nxit e ysht të shajnë e mallkojnë? Merre pra Shqipërinë dhe bëje! Po presim ta shohim shfaqjen tënde, destinacionin.
Kush popull, cila opozitë, çfarë media ka bërë më shumë për një njeri sesa Ne të gjithë për Ty o burazer? Ti je më i miri, i vetmi madje që di, që sheh, që kupton, që ndjen dhe parashikon. Që dëgjon, shpëton, bamirëson, ndërton shtëpi, pikturon, televizionon përditë imagjinatën dhe fasadizon një vend të tërë.
Jepi timonier! Përpara pa e kthyer kokën pas!
Mos humb kohë me ne të tjerët! Ne vijmë nga një kohë e ikur, ne nuk ecim dot kaq shpejt sa ty ndaj e keqkuptojmë Shqipërinë që duhet ta Donim, pasi ta kuptonim.
Mirato ligje dhe reforma, mundësisht shpejto me VKM-të dhe udhëzimet. Jo. Jo. Si recitonte Jozefina? Pro, kundër, miratohet. Miratohen ato qoftë dhe me votën tënde.
Mos humb kohë! Qeveris Timonier me direktiva, që dikur do të jenë ungjijtë e Gjeneratës Tjetër. Pengesat ranë. Gazin në kokë dhe vetëm drejt! Ne vijmë pas, siç të vjen ty pas historia.
Add new comment