Lapsusi 18 milionë euro i Damianit, ministri që nuk e përmend askush
Sot paradite ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri bëri një zgjim publik virtual. Ai hodhi ca radhë në Facebook duke iu adresuar vetëm PD-së që sipas tij bën politikë të pistë me Unazën e Re. Në fund pak moral: Socialistët e tipi Gjiknuri mendojnë për të ardhmen e vendit, ndërsa demokratët e Lulit prodhojnë baltë. Zotit Gjiknuri nuk i intereson shumë se çfarë thuhet lart e poshtë, ai as nuk kujdeset që të përmirësojë disi mënyrën sesi flet. Sesi argumenton. Shikoni çfarë thonë dy prej komentuesve në statusin e tij:
Dhe me të vërtetë, ky ministër që merr tërë këto përgjegjësi, ka ndërmend të marrë ndonjë masë për të mos lejuar që kjo që ndodhi të mos ndodhë më. Po kryeministri sipër tij?
Zotin ministër e shohim rrallë të përflitet në media. Madje ai del shumë rrallë edhe vetë. Patjetër ngaqë është i mbytur në punë e nuk ka kohë për “Shqipninë e tavolinave”...të kafeneve, sepse për tavolinat e pazareve shumë pak veta dinë çfarë bëhet.
Ne e kemi parë për herë të fundit këtë zotëri me çehre të rënë kur diskutohej çështja e CEZ, kur ky jurist i shquar i qeverisë dhe i socialistëve si argument kryesore të vetin kishte atë që do ta përdorte edhe ndonjë që firmos me gisht:
Ky është një vullnet dhe ligj i Parlamentit shqiptar
Patjetër që po. Ndaj edhe zotin Gjiknuri e kemi parë përherë e më shumë të zhduket nga mediat, nga akuzat e opozitës. Sepse konçesionet miliona euro, qindra milionë madje, janë ligje të parlamentit. Janë pra vullnet i sovranit. Pse duhet të flasë ai? Po çfarë të thotë më shumë sesa zëri i sovranit? Ai është vetëm një shërbëtor i këtij sovrani, një teknik i cili është vënë në dispozicion.
Derisa rrugës ka aksidente si këto të Unazës së Madhe. Janë 18 milionë euro që zotëria ia kaloi shqiptarëve nën rrogoz; ndoshta sepse edhe atij ja ka hedhur Afrimi i ARRSH-së. Por ama 18 milionë euro janë shumë. Edhe për standardet e zotit Gjiknuri. Dhe kjo nuk mund të kalojë kështu, me një status në Facebook. Sepse o zoti Gjikë me Nur Shqipëria është e vogël, shumë e vogël, kurse ti je bërë i madh, shumë i madh. Sa për t’u kënaqur vetëm me tabelën e nderit të Edi Ramës, të cilit i duhesh kaq shumë. Shumë i madh. Aq sa ua ke mbyllur gojën të gjithëve. Edhe kësaj gjoja opozitës që po proteston, por njëkohësisht edhe po ndërton tek Unaza e Re. Fundja nuk është se të kushton gjë. Ndaj edhe këto lapsuse me 18 milionë euro i kalon me atë qeshjen e vetësigurisë që mban rëndom kur debaton me demokratë saksish si Lulzim Basha.
Add new comment