Marrëdhëniet shqiptaro-serbe. A shohim një të ardhme të njëjtë?

Postuar në 04 Tetor, 2018 12:20
Paskal Milo

Kam 25 vjet që me kolegë serbë të shoqërisë civile, të shkencës, të botës universitare, por edhe të politikës, jemi takuar, kemi biseduar e diskutuar shumë herë këtu në Tiranë e në Beograd, në kryeqytete të ndryshme të rajonit, por edhe nëpër Europë për marrëdhëniet shqiptaro-serbe.

Nuk ka qenë e lehtë as për ne dhe as për miqtë tanë serbë që të uleshim në një tavolinë e të bisedonim. Mes nesh qëndronte humnera e mosbesimit dhe e mospajtimit, deti i pafund i armiqësisë dhe i konflikteve të së shkuarës së largët e të afërt. Në mendjen tonë qëndronte e ngulitur thellë bindja e kultivuar në tokën pjellore të urrejtjes se prapa fytyrës së çdo burri apo gruaje serbe fshihej një armik i shqiptarëve. Tepër trishtuese po ta mendosh se kjo ka qenë jo shumë kohë më parë.

Por, mes serbëve e shqiptarëve, edhe në ditët e vështira e tragjike të së shkuarës, ka pasur mendje të hapura e zëra të veçantë që janë ngritur kundër urrejtjes dhe armiqësive dhe kanë evokuar bashkëjetesën e komunikimit njerëzor normal mbi bazën e respektit të ndërsjellë të të drejtave e vlerave të gjithsecilit. Dhe unë nuk kam se si të mos përmend njohjet e bashkëbisedimet e para me të tillë kolegë e miq serbë si: Sonja Licht e Sonja Biserko, Dushan Janjiç e Zharko Korac e shumë e shumë të tjerë, që ndër vite, së bashku me shumë shqiptarë, shtruan rrugën e dialogut për të ardhur sot në një takim të tillë këtu në Tiranë.

Ne sot po jetojmë së bashku një moment historik ,që do të përcaktojë të ardhmen e marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Dhe jo vetëm kaq, por do të ketë një ndikim të gjerë në përmirësimin e klimës e të atmosferës në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Do të jetë një gur themeli në paqtimin e stabilitetin përfundimtar të rajonit, në bashkëjetesën e bashkëpunimin multietnik të tij.

Nëse do të hiqej një paralele brenda dimensioneve rajonale që përfaqëson historia konfliktuale shqiptaro-serbe me atë franko-gjermane deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, do të gjendeshin mjaftë elementë të përbashkët. Por, më e rëndësishme sot nuk është analiza e dy proceseve historike si të tilla me dallimet e përbashkësitë e tyre. Themelore dhe epokale ishte qasja që u gjet për të pajtuar këto dy kombe të mëdha. Dhe ajo ishte pikërisht ideja dhe projekti i integrimit i Bashkimit Europian. Të gjithë sot jemi dakord se motori i ecjes përpara për BE ka qenë e mbetet binomi Gjermani-Francë.

Sot, dy kombet më të mëdha të Ballkanit Perëndimor, serbë e shqiptarë, sigurisht jo në mënyrë skematike, kanë shansin që të përsërisin historinë e modelit të suksesshëm frankogjerman në dimensionet e rajonit dhe të bëhen garancia e suksesit për paqe e siguri të qëndrueshme, për zhvillim e prosperitet. Kjo mund të ndodhë dhe jam optimist se do të arrihet, sepse të dyja kombet kanë një objektiv të përbashkët dhe kanë shprehur vendosmërisht vullnetin që të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët në familjen e madhe të kombeve europianë. Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë për shumë arsye, qoftë për shkak të trashëgimisë konfliktuale të historisë, qoftë edhe për shkak të vështirësive aktuale në procesin e integrimit europian e rajonal.

Ne shqiptarët e përjetojmë dinamikën e marrëdhënieve shqiptaro-serbe në përgjithësi e për çështje thelbësore si komb unik. Kjo çfarë po them nuk ka të bëjë dhe as nuk duhet asociuar me parullën kaq shumë të konsumuar të “Shqipërisë së Madhe”. Natyrshëm si në çdo komb tjetër, përfshirë edhe kombin serb, ka një përbashkësi tipologjike ndjenjash e traditash të kultivuara e të ngjizura përgjatë historisë mbi bazën e gjuhës e të territorit. Por, sot, një pjesë e shqiptarëve, kryesisht ata që banojnë në Kosovë e rreth saj, e kanë më të vështirë dhe hezitojnë ta kalojnë Rubikonin e pajtimit e të bashkëjetesës me serbët. Dhe po kështu, jam i bindur se edhe një pjesë jo e vogël e opinionit serb ushqehet edhe sot e kësaj dite me historitë e vjetra diskriminuese dhe segregacioniste të “shiftarëve” druvarë ose me mllefin që përcjell banderola e madhe nacionaliste para Parlamentit serb në Beograd.

Shqipëria ka pasur dhe ka një rol të madh për të ndërtuar urat e pajtimit e të bashkëpunimit në emër të së ardhmes së përbashkët midis dy kombeve. Në një kuptim që mund të merret edhe si provokativ, Shqipëria në një farë mënyre ka qenë natyrshëm Piemonti shqiptar. Por, duke qenë e lirë në zhvillimin e identitetit të saj, të gjuhës, traditave, kulturës, shkencës, por jo të ekonomisë së tregut e të përfitimeve prej saj, ajo ka qenë më e prirur për “raison d’Etat” që të ishte për marrëdhënie normale me strukturat shtetërore ish-jugosllave. Krizat në këto marrëdhënie me përjashtim të luftës ideologjike gjithnjë kanë qenë shkaktuar nga dhe për Kosovën.

Shqipëria dhe Serbia kanë bërë një progres të ndjeshëm në marrëdhëniet midis tyre dhe kjo u diskutua edhe në konferencën e Beogradit, por edhe sot këtu. Nuk përbën më asnjë lajm nëse në Tiranë apo në bregdetin shqiptar takon qytetarë serbë, zyrtarë ose jo, të rinj, biznesmenë, artistë, etj. Sikurse jam i bindur se shumë shqiptarë shëtisin lirisht në Beograd, shijojnë bukuritë e tij, vizitojnë “Kala Meidan” dhe “Skadarska Ulica”, shijojnë këngët popullore serbe, pse jo edhe shqiptare aty.

Ka shumë hapësira për zhvillimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe dhe duhet bërë më shumë nga të dyja palët, sidomos në fushat ekonomike, tregtare, kulturore, por sidomos njerëzore. Çelësi i mirëkuptimit dhe i neutralizimit të paragjykimeve është kontakti njerëzor. Sidomos kontaktet rinore, jo ato që janë të organizuara e shërbejnë si dekor, por takimet spontane e të lira, jashtë kornizave politike apo zyrtare të ditës.

Dua t’i rikthehem, ndonëse mund të jetë edhe shumë e diskutuar në vijimësi, por edhe sot këtu, temës së Kosovës. Dikur ka ekzistuar mendimi se çështja e Kosovës mund të zgjidhej në Tiranë, ashtu sikurse ende ka zëra se mund të jetë edhe sot pjesë e axhendës midis Shqipërisë dhe Serbisë

Shqipëria patjetër ka qenë, është e do të jetë e interesuar për të zgjidhur përfundimisht çështjen e Kosovës. Ky është postulat për politikën shqiptare. Por, Shqipëria sot, në kushtet e ekzistencës së Kosovës si shtet i pavarur, mund të jetë një faktor ndihmues, lehtësues dhe jo përcaktues. Ajo nuk ndërhyn në punët e brendshme të Kosovës.

Shqipëria mbështet dialogun midis Kosovës e Serbisë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të detyrueshme të njohur ndërkombëtarisht. Ajo uron që të gjendet një zgjidhje e negociuar mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare e të realiteteve të krijuara e të patjetërsueshme. Sa më shpejt, aq më mirë, por një marrëveshje, që të jetë transparente, e qëndrueshme, pa presione dhe që do të shërbente përfundimisht për hapjen e një epoke të re në marrëdhëniet serbo-shqiptare.

Dialogu është për nga historia dhe problemet e akumuluara i vështirë. Ai bëhet edhe më i vështirë edhe nga interferencat e aktorëve të tretë në rajon apo nga konjukturat që krijohen përreth (Maqedonia), etj.

E ardhmja duhet të mbizotërojë mbi të shkuarën. Ky është mesazhi i kohës. Kam bindjen se marrëdhëniet shqiptaro-serbe janë futur në këtë hulli në mënyrë të pakthyeshme.

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.