Firma artistësh dhe një ekspertizë e pabesueshme për Teatrin
Politika ia ka dalë të vendosë në përdorim të vetin disa prej artistëve të njohur që sot kanë vënë firmën në një letër të hapur drejtuar autoriteteve publike, e mbi të cilën kanë vënë firmën edhe emra që njihen vetëm në kafenetë afër Teatrit Kombëtar. Në letrën e shpërndarë për mediat, artistët në fjalë që kryesohen si firmë nga I mirënjour Pirro Mani, e në vazhdim me Gëzim Kamen, Viktor Zhustin, apo Eva Alikajn dhe Spiro Dunin, kërkohet ndërtimi i një godine të re për Teatrin, duke përcaktuar se sipërfaqja aktuale e godinës të mos përdoret për asjë gjë tjetër. Po kështu, artistët në fjalë, 65 në total, kërkojnë që
në funksion edhe të transparencës që i shërben forcimit të besimit në këtë proces, për përfshirjen tonë në mënyrë të domosdoshme në komisionin e negocimit që do të ngrihet për zhvillimin e projektit të ri, me qëllim për të qënë pjesë e vendimmarrjes që ka të bëjë me ngritjen e godinës së re të Teatrit Kombëtar
Artistët në fjalë po kështu i besojnë tërësisht asaj që e quajnë “ekspertizë institucionale”, pa dhënë asnjë mendim apo gjykim për projektin e ri që është paravendosur. Pa folur për procedurat që po ndiqen, për faktin e çuditshëm të një ligji të posaçëm që është propozuar, i cili përbën shkelje të paprecedentë.
Jo, artistët në fjalë, nuk shqetësohen për këto. Njësoj si ata ta pastrehët që rendin pas ofertës më të parë, e konsiderojnë Teatrin një banesë sociale e cila mund të prentohet me autorizim pranë z. Veliaj. Nuk kemi pse të mos theksojmë këtu se kjo letër u parapri nga një opinion i djeshëm i Pëllumb Kullës, që dominohej nga një dashamirësi symbyllur për drejtuesit e tanishëm që siç shprehej z. Kulla i duken “qëllimmirë dhe idealistë”, njësoj si z. Veliaj që i duket “i mençur si politikan”.
Por t’ia lëmë këto konsiderata estradës që zhvillohet aktualisht për të hedhur pak shikimin mbi implikimet dhe synimet e kësaj letre. Paragrafi i cituar prej saj, pra për pjesëmarrjen në Komisionin e Negociimit, është një shërbim me shumë pasoja që këta artistë i bëjnë pushtetit të sotshëm. Pasi me këtë kërkesë ata legjitimojnë pjesëmarrjen, e deri diku vetëm nismën ligjvënëse që paracakton zhvillimin urban të zonës ku ndodhet Teatri.
Në nenin 4, pika 2 të projektligjit “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, thuhet se:
Komisioni i negocimit mund të thërrasë edhe përfaqësues nga institucione të tjera si dhe ekspert të fushës që gjykohen të nevojshem
Nga kjo pikëpamje qeveria me z. Veliaj si kryenegociator, do të zgjerojë komisionin me artistët brenda për të realizuar një projekt që ecën në shina antiligjore, e që mu për këtë arsye kundërshtohet nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Edhe sot kjo e fundit, ka vlerësuar se kryebashkiaku nuk ka asnjë tagër për negociata, sa kohë që prona në fjalë është në pronësi të Ministrisë së Kulturës. Është pra e qartë se firma e këtyre artistëve ka shtyrë me një dorë më shumë zhbërjen e një hapësire në Tiranë dhe vendosjen e saj në dispozicion të kullave, të cilat mund të ndërtoheshin pa patur nevojë që të prishet Teatri ekzistues. Këtë pyetje a ja bëjnë vetes këta zotërinj? Nëse po, ka një përgjigje: Kryeministri nuk ka këllqe që të marrë një pronë shtetërore e ta japë për kulla, por shfrytëzon Teatrin për të paraqitur një projekt biznesi personal si ambicie për Kulturën.
Është në firmë mbi një letër që mban erë shumë të keqe dhe që nuk do të harrohet.
Një ekspertizë aspak e besueshme
Meriton dy fjalë edhe e ashtuquajtura ekspertizë institucionale. Ajo është përgatitur nga Instituti I Ndërtimit, i cili nuk e ka publikuar atë në faqen e vet online.
Në kopjen e siguruar nga ResPublica, inxhinierët që kanë firmosur ekspertizën e kërkuar nga vetë drejtori i Teatrit Kombëtar, në kreun “Vlerësimi i kushteve të Strukturave” konkludohet se
Riparimi i objektit dhe sjellja në kushtet teknike të sotme, përbën një vështirësi. Ajo kërkon kosto të larta, disa herë më tepër se kostoja minimale fiskale dhe një ndërhyrje rrënjësore në 90% të objektit. Kërkon ndërhyrje në themele, në strukturën mbajtëse të objektit,, në çatinë e objektit si dhe në soletat e ndërkateve ndërhyrja sado e madhe të jetë në objekt, nuk e sjell në kushtet optimale teknike të sotme sipas kodeve të projektimit.
Kjo nuk është e vërtetë po t’I refeorhemi vetë dokumentit në fjalë. I cili hapet me një gabim.
Teatri Kombëtar është një objekt i ndërtuar gjatë periudhës së protektoriatit Italian në Shqipëri…Objekti është ndërtuar në vitin 1938…
nis raporti, duke e zbritur vitin e pushtimit Italian me një vit. Në vitin 1938, në Shqipëri ishte në pushtet mbreti Ahmed Zog dhe ky lapsus është një sinjal i asaj që pason.
Nëse sheh hyrjen e dokumentit dhe përshkrimin historik të ndërtimit të godinës, aty flitet për materialin e përdorur, arsyet e zgjedhura për të, zgjidhjen që u dha etj..Materiali u eksperimentua në atë kohë nga studio italiane, “Pater Costruzioni Edili Speciali”, nisur nga arsye ekonomike, por edhe nga nevojat për daljen nga varësia e materialeve bazë si hekur etj.. Në relacion po ashtu thuhet se “objekti origjinal është konceptuar si një strukturë e lehtë e përkohshme…me themele të vazhduara dhe të cekëta”.
“Për këto tipe objektesh parashikohen vetëm ndërhyrje të pjesshme dhe kapitale”.
Instituti nuk i mbështet këto përcaktime me ndonjë punim të vetin, me ndonjë shembull në Itali, apo gjetkë, duke u mjaftuar me autoreferencë. Nuk ka madje asnjë të dhënë që të provojë se objekti u konceptua si i përkohshëm.
Mirëpo nga një lexim gjuhësor i pjesës ku përshkruhet materiali dhe historiku I godinës, rezulton se ai ka ngjashmëri identike me një punim të paraqitur në vitin 2013, në universitetin “Epoka” në Tiranë, nga Anna Bruna Menghini e Departamentit të Shkencave të Inxhinierisë Civile dhe të Arkitekturës në Politeknikun e Barit në Itali.
Në një material të sajin, paraqitur në 22-23 maj 2013, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare Ballkanike mbi Sfidat e Inxhinierisë, Menghini përshkuan pikërisht atë që sot Instituti i Ndërtimit i drejtuar nga z. Hysenlliu na e paraqet si punim të vetin. Nuk përjashtohet mundësia që të kemi një përsëritje identike nga persona të ndryshëm, por kjo ngjan pak e vështirë, sidomos për faktin se ekspertiza e kërkuar për Teatrin nga drejtori politik i tij, Hervin Çuli, mban datën 23 mars 2018.
Më e rëndësishmja: ndonëse Instituti vjel mesa duket nga Politkeniku i Barit të dhënat për historikun e godinës, ai refuzon të ndajë konkluzionet që i ka origjinale. Edhe pse për materiale të tilla si pupulit, në Shqipëri nuk ka përvojë kush.
Në mbylljen e punimit të vet, znj. Menghini flet për atë që e quan “një jetë të re për ndërtesën”. Sipas saj:
duke patur parasysh vlerën historike dhe dokumentare të ndërtësës, gjithashtu në respekt të teknikës së ndërtimit që është adoptuar dhe rolit të rëndësishëm urban që luan, është e domosdoshme ruajtja e saj. Një projekt i realizuar në laboratorin e Fakultetit të Arkitekturës së Politeknikut të Barit në vitin 2007-2008, sugjeron ndërhyrjen për rifunksionalizimin e kompleksit
Pra aty ku ekspertët shqiptarë japin mendimin se nuk mund të bëhet ndërhyrje, nga Italia vjen tjetër mendim.
Këta janë inxhinierë që vënë firma dhe bëjnë ekspertizë në afate rekord, njësoj si ata artistët që vënë firma duke besuar si z. Kulla në kategori inekzistente si “mençuria e z. Veliaj”, e që duan të jenë pjesë e një shkatërrimi, që po na shitet si shndërrim. Secili ka mendimin e vet, apo edhe të drejtën për t’u shtirur sikur ka një mendim të vetin, por së paku, në diksutimin public argumentet që jepen duhet të jenë të plota dhe shterruese. Që të mos fitojë forca, por forca e arsyes.
Add new comment