Gjyqi i Tahirit, radarët e Sazanit u fikën për peshkarexhën e Habiljave
Prova të tjera dalin në dritë për implikimin e dyshuar të strukturave shtetërore në trafikun e drogës gjatë hetimeve për ish-ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri. Sipas gazetës “Shqiptarja”.com nga provat që ka paraqitur prokuroria në gjyqin ndaj ish-ministrit të Brendshëm, ka dalë në pah një fakt mjaft i rëndë. Në datën 6 maj të vitit 2016 kur një peshkarexhë italiane e ngarkuar me drogën e grupit të Habilajve u nis nga Shqipëria për në Itali radari i ushtrisë u fik për t’u mundësuar kalimin e lirë.
Ndonëse radari që është i vendosur në ishullin e Sazanit nuk varet nga ministria e Brendshme por nga ministria e Mbrojtjes, implikimi i strukturave të ministrisë së Brendshme në këtë rast dalin tek përfshirja e Sokol Bodes, ish-shefit të kufirit për zonën bregdetare Dhërmi-Himarë.
Sokol Bode është një nga tre oficerët e policisë që janë arratisur pas akuzave të prokurorisë për përfshirje të tyre në trafikun e lëndëve narkotike. Bode është cilësuar nga prokuroria si pjesë e bandës së Habilajve së bashku me ish-drejtorin e policisë së Vlorës Jaert Çela dhe oficerit të policisë Gjergji Kohila.
Add new comment