Profil/Kush është Sebastian Kurz, lideri i ri austriak?

Postuar në 21 Dhjetor, 2017 14:31

Me një pamje prej djaloshi, kryeministi ri ri i Austrisë Sebastian Kurz ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve. Mënyra se si ai kapërceu shkallët hierarkike në politikë duket se ka thyer “rekordet” e mëparshme nga lideri i Koresë së Veriut Kim Jong, nga Presidenti Francez Emanuel Macron apo edhe kryeministri kanadez Justin Trudeau, të cilët deri më tash janë konsideruar si udhëheqësit më të rinj në botë.

Por e kaluara e tij, duket se nuk ka qenë aspak një kujtim për të cilin Kurz dëshiron të flasë, gjë që e ka shprehur qartë dhe në intervista duke iu shmangur asaj faze të jetës, kur u përfshi në një skandal teksa në moshën 24-vjeçare organizoi një të ashtuquajtur “sexy party”, duke shpërndarë me miqtë e tij prezervativë në rrugë dhe rrëfente eksperiencën e parë seksuale. Veprime këto që duket se ishin të papranueshme për babain e tij inxhinier dhe nënën e tij mësuese, që parimonin për një familje të përkushtuar ndaj besimit katolik.

Kurz, sot kryeministri më i ri në Europë, nisi studimet për drejtësi në vitin 2005, por dëshira e madhe për politikën bëri që ai të mos i përfundonte. Karriera e tij politike nisi në 2009-n, kur u zgjodh deputet i Partisë Popullore për t’u emëruar në prill të 2011-s si ministër i Integrimit në moshën 24-vjeçare dhe ministër i Jashtëm kur ishte vetëm 27 vjeç. Ai i ndryshoi emrin forcës politike, nga Partia Popullore në partia Popullore e Re, ndërsa motoja zyrtare do të ishte “koha për diçka të re”. Veprimi i dytë, ishte afrimi në parti, i personave të rinj që nuk kishin patur kurrë më parë funksione politike, e njëjta taktikë e përdorur nga Emanuel Macron.

Analistët politikë thonë se goditja më e madhe e tij, ishin negociatat mes Bashkimit Europian dhe Iranit, e më pas ato për Ukrainën që vulosën pamjen e një politikani të ri, të vendosur dhe të pashëm. “Me pamjen, ecjen dhe mënyrën e të folurit plot klas, Kurz rrëmbeu simpatinë e partisë së tij e jo vetëm, çka i dha në pranverë të këtij viti postin e liderit”, shkruanin gazetat më të mëdha europiane përgjatë fushatës elektorale të vjeshtës, ku 31-vjeçari Kurz korri një tjetër sukses duke fituar zgjedhjet përmes motos “Stop emigracionit illegal”.

Programi i tij politik për të cilin u tha se ishte një kopje e rivalëve të së djathtës ekstreme bazohej mbi idenë e reduktimit të emigracionit dhe forcimit të kufijve, gjë për të cilën ai u kritikua më së shumti nga kolegët europianë. Madje, disa gazeta vendase, europiane dhe analistë politikë, sikurse portali austrialian “News” nuk nguruan ta quanin si një minidiktator, nisur nga fakti që ai i konsideronte myslimanët të cilët jetojnë në Austri si një komunitet paralel, që nuk duhet të gëzojnë të drejta të njëjta me vendasit.

Por pas fitores, një tjetër shqetësim duket se ka dalë në pah, ai i rikthimit në pushtet të Partisë austriake të Lirisë, e cila u themelua nga pasaardhësit e nazistëve në vitin 1950, parti e cila gjatë fushatës elektorale e akuzoi për vjedhje të idesë për politikat ndaj emigrantëve. Megjithatë, marrëveshja mes tyre, sipas së cilës e ashtuquajtura partia e nazistëve, i garantoi pushtet përmes ministrisë së Brendshme dhe të Jashtme, në këmbim të refuzimit për referendumin që do të hapte dritën jeshile për daljen e Austrisë nga Bashkimi Europian. Një tjetër lëvizje kjo që e vë kryeministrin 31-vjeçar mes trekëndëshit të një lideri me frymë proeuropiane, antiemigrant dhe që mban afër “armiqtë” e tij.

Tema Tv
http://www.tematv.al/2017/12/21/sebastian-kurz-kush-sht-lideri-m-i-ri-me...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.