Dëgjesat publike si mbledhjet e Frontit të Lagjes
Kryeministri ka vijuar me publikimin e atij që e quan Raport mbi Dëgjesat Publike në Qarkun e Durrësit. Për çfarë është fjala? Nëse i hedhim sy tekstit të publikuar në profilin e tij në Facebook, kuptohet se kemi të bëjmë me 23 takime ku kanë marrë pjesë mesatarisht 150 qytetarë që në total bëjnë 3400 qytetarë.
Për ata që duan të besojnë diçka më shumë ka edhe një pretendim për Metodologjinë e takimeve siç quhet, e cila konsiston në zhvillimin e takimeve hapur, publike dhe të njoftuara paraprakisht. Durrësi ka si problem kanalizimet, mungesën e investimeve, mungesën e ujit të pijshëm, infrastrukturën, punësimin etj., gjithnjë sipas raportimit të Facebook me komente, opinione.
Nëse i hedhim një sy votave që ka marrë PS-ja në zgjedhjet e fundit, ato janë 73 066, rreth 13 mijë më shumë se në vitin 2014, ndërkohë që problemet që evidentohen nga 3400 njerëz, janë ato të përjetshmet: uji, rruga, etj.. Duke i folur qeverisë për çështje të vetat, konkrete, thuajse duke e parë atë si ndërmarrje e komunales, nuk kuptohet mirë se cilli është kuptimi i votës së 25 qershorit. Aq masivisht.
Nga ana tjetër takimet janë drejtuare dhe asistuar nga drejtuesit politikë të PS-së duke na dhënë të kuptojnë se në ato takime kanë marrë pjesë militantë të saj dhe aspak qytetarë. Aq e vërtetë është kjo saqë mund të kuptohet te kjo lloj problematike, pasi nëse vota e 25 qershorit na jep një fotografi të refuzimit të PD-së në bllok, kërkesat dhe dëgjesat nuk përcjellin asnjë shqetësim për çështje të interesit publik si Veliera, çmimi i ujit, kriminaliteti. Jo. Janë ato probleme që i japin mundësi qeverisë dhe kryeministrit të rrëmojë hallet e vërteta, t’i kthejë ato në axhendë pune, zgjidhja e të cilave është e thjeshtë, që mandej nesër edhe llogaridhënien ta adresojë te këto dëgjesa.
Problemet e tjera që prekin hapësirën publike kanë për t’u shpërfillur si lajme të rreme. Jemi përpara një periudhe të degradimit të marrëdhënies së pushtetit me interesin publik, të cilin po e rishpik dhe banalizon si e si për të anulluar përgjegjësitë që rrjedhin nga kërkesa e vazhdueshme për transparencë dhe informim.
Add new comment