Lëruani Kryeministrinë protestuesve...!
Në Kopenhagen, në një lagje mu në zemër të kryeqytetit, më kanë bërë përshtypje muret me grafite dhe ndërtesat e parestauruara, pikërisht në qendër të kryeqytetit. Pra, një kontrast me bukurinë dhe rregullin e këtij qyteti. Policia të paralajmëronte: Kujdes në këtë zonë, sepse popullohet nga hipitë. Banorët e kësaj zone ishin të rinj në vitet ‘60 kur shpërthyen protestat për liberalizim në të gjithë Evropën. Protestat ishin të dhunshme. Në Danimarkë ndodhi që këta të rinj të sulmonin këtë zonë dhe ta pushtonin. Mbretëresha urdhëroi policinë të mos ndërhynte. Ata vazhdojnë të jetojnë aty me zakonet e tyre, të lirë të përdorin drogë e të jetojnë pa rregulla. “Copenhagen hippy town” më vjen në mend sa herë ka deklarata dhune kundër shtetit, kundër rendit. Nuk ka asnjë lidhje me protestat tona politike (se ato protesta, megjithëse të dhunshme, ndryshuan shoqërinë evropiane dhe e bënë më të mirë pas reflektimit), por do të doja të kishte lidhje me vendimmarrësit, ligjvënësit apo ligjbërësit e këtij vendi.
Protesta jonë
A do të ketë dhunë nesër në protestën e opozitës në bulevardin dhe çadrën që ndodhet para kryeministrisë? Kjo pyetje nuk ka rëndësi, sipas mendimit tim. Një gazetar që ka raportuar nga terreni për një kohë të gjatë dhe që ka redaktuar me mijëra shkrime të kolegëve, e ndjen në ajër vektorin e dhunës. Gazetari e di mirë se çfarë fytyre ka përplasja me pushtetin (forcën ekzekutive plus politikën pushtetmbajtëse apo flamurmbajtëse). Sipas meje, (e përsëris që ky mendim është produkt i eksperiencës personale dhe jo aksiomë apo formulë e gatshme, apo klishe për të gjykuar dhe paragjykuar), mënyra e aksionit të opozitës nuk ka gjë të përbashkët me shpërthimin e zemërimit të njeriut, me revoltën e çastit të turmave, apo me edhe me kryengritjen popullore, ca më pak me revolucionin. E kam parë me sytë e gazetarit vitin ’97 kur raportoja për gazetën “Koha Jonë”. Njerëzit kishin humbur gjithçka, ndërsa opozita e asaj kohe kishte dalë e shpartalluar nga një palë zgjedhje të vjedhura. Njerëzit u derdhën në rrugë kundër qeverisë, jo për votën, por thjesht për paratë e humbura në piramida. Më pas u përzien bandat dhe partitë që përfituan nga ajo rrëmujë. Në asnjë moment njerëzit nuk u drejtuan për të pushtuar Kryeministrinë apo Presidencën. Ata dogjën e shkatërruan gjithë vendin, por nuk dinin çfarë bënin. E mbaj mend edhe kryengritjen e shtatorit ’98. Ishte e kundërta. Ajo ishte ngjarje e paralajmëruar. Vrasja e Azem Hajdarit ishte e parapërgatitur, e paralajmëruar dhe kësisoj nuk arriti të bëhet kauzë e njerëzve, por vetëm e një grupi “qëndrestarësh” në PD që morën armët dhe hynë në Kryeministri dhe në Televizionin Publik Shqiptar. Berisha po përgatit dhe po tenton sërish atë dhunë, por ka përballë kundërshtimin e një mase të madhe popullore që nuk e do përplasjen.
Pushtetmbajtësi
Rreziku më i madh qëndron gjetkë. Pushteti mund të gabojë dhe ta kthejë protestën e nesërme në një gur në duart e politikanëve të mbrapsht të opozitës. Pushtetmbajtësi Edi Rama në Kavajë luajti në fije të perit lojën e forcës dhe më pas u tërhoq. A ka rrugëdalje nëse një grup protestuesish “të pakontrolluar” nga Basha do të shpërthejnë në dhunë kundër policisë dhe t’i sulen me gurë Kryeministrisë (si në 21 janar)? Ka një zgjidhje daneze: Dorëzimi pa gjak i godinës së Kryeministrisë. Ajo godinë nuk është thelbi i pushtetit, madje le t’u lihet protestuesve që të qëndrojnë aty (në vend të çadrës), qeveria le të strehohet diku tjetër. Nëse nuk ka dhunë, aq më mirë. Le të jetë dita e nesërme si ato “netët e bardha” kur populli hyn dhe viziton zyrat e Bashkisë së Tiranës. I vetmi problem i pushtetmbajtësit dhe pushtetkërkuesit do të jetë lufta për menaxhimin e krizës së imazhit përballë militantëve.
P.S. Për ata që mendojnë se një lagje me godina të zakonshme nuk krahasohet me selinë e një qeverie, ju kujtoj se jo më larg se mbrëmë, protestuesit hynë te qetë në Ministrinë e Financave në Greqi dhe nuk ra qeveria! Për më tepër, kur njëri krah këtu në Shqipëri nuk e njeh Kushtetutën (pra edhe institucionet), nuk ka kuptim të flitet për mbrojtje me çdo kusht të një selie. Mbrojtja më e mirë janë aktet e paqësimit.
"TemaTv"
Add new comment