Krijohet Partia e Socialistëve të Facebook-ut. Xhaketat Firmato – Të Urtët - engledisen në internet
Pastrimet e mëdha që Edi Rama ndërmori në PS që nga koha kur mori drejtimin e saj, ka çuar në krijimin e një gjindjeje politike që duket se ka mbetur e papunë. Por politika është një aktivitet i fjalës dhe ndonëse përjashtimet apo anashkalimet janë pjesë e lojës, apo edhe e karrierës, fjala me synime politike nuk ndalet. Për vite të tëra ky grup përherë e në rritje që dikur i quanin xhaketa të vjetra, e që sot janë xhaketa firmato që vijnë vërdallë, shihej nga një intervistë në tjetrën, një herë me rolin e analistit, e diku tjetër në ndonjë ëorkshop. Ndonjë pedagog në universitet privat, apo ndonjë drejtor gjëkundi tjetër. Ka një fjalë që përshkruan këtë gjendje: Bubrrim. Bubrrimit politik me lokalitetin permanent “Vërdallë” duket se i ka ardhur fundi. Shokët, apo ish-shokët kanë nisur të organizohen. Një faqe e posaçme në Facebook është gati të lancohet në formën e një forumi diskutimesh të lira, ku një seksion i posaçëm është “Nostalgji për Demokracinë”.
Artikuj gazetash, sidomos ato që fillojnë me “Ja 10…”, apo “Kur Berisha…” do të popullojnë këtë hapësirë për të kënaqur xhanin e socialistëve të vërtetë, që ndonëse janë qejfprishur me Edin, sërish nuk e thonë hapur. Po të shohësh statuset e të pëërjashtuarve nga lista e kandidatëve, të zënë të qarët nga kjo mirësi e kësaj kategorie: askush nuk e di pse i hoqën nga lista, kush mori vendim për këtë gjë përveç Kryetarit dhe nëse pati mbledhje forumesh. Jo, heqja është akt arbitrar personal, ata e përjetojnë si vendim të mençur partie, të cilës i betohen sërish për angazhim të plotë. Ky moral nuk mund të humbasë ndaj njësoj si në vitin 1991, edhe tani, përmes Facebook-ut, do të shkëmbehen ide, pikëpamje, kujtime për të risjellë një histori suksesi.
Add new comment